Politike
Meta del nesër para togave të zeza, ja kur do të mbahet seanca ndaj ish-presidentit
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të dalë ditën e nesërme para trupës gjykuese, ku do të verifikohet masa e sigurisë “arrest në burg” e caktuar ndaj tij. Seanca do të mbahet në orën 09:30 të mëngjesit. Gjithashtu para trupës gjykuese do të dalë edhe Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot, me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit për personat nën hetim Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”.
2. Bazuar në nenin 248 pika 1 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 23.10.2024 ora 09:30. Tiranë, më datë 22.10.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.
Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua ditën e djeshme me urdhër të SPAK në zonën e “Casa Italia” në Tiranë. Në njoftimin e SPAK thuhet se objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
SPAK thotë se janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale. Në njoftimin e SPAK thuhet se është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. SPAK thotë se kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.