Aktualitet
Zbardhet vendimi i qeverisë, ja si do të krijohet Forca Rezerviste
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një vendim për krijimin e Forcës Rezerviste duke nisur nga viti i ardhshëm.
“Në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura pranohet si ushtarak rezervist shtetasi që plotëson këto kërkesa të përgjithshme: a) Të jetë shtetas shqiptar; b) Të mos jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi:
- c) Të jetë i moshës: i. deri 50 vjeç për ushtar; ii. deri 55 vjeç për nënoficer; iii. deri 60 vjeç për oficer”, thuhet në nenin 6 të projektligjit.
Ndërkohë në nenin 8 pika 1, parashikohet që “Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë”.
PROJEKTLIGJ PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E FORCËS REZERVISTE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83, pika 1, dhe 166 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për mobilizimin dhe shërbimin ushtarak në rezervë.
Neni 2
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
- “Forcë Rezerviste”, struktura e Forcave të Armatosura, e organizuar dhe e kompletuar me armatim, pajisje, teknikë, infrastrukturë dhe një minimum personeli aktiv për trajnim dhe mirëmbajtje, e cila aktivizohet dhe kompletohet me personel ushtarak të shërbimit rezervist sipas nevojës.
- “Mobilizim”, organizimi i të gjithë apo i një pjese të shërbimit ushtarak në rezervë për të marrë pjesë ose për të siguruar plotësimin e njësive e reparteve të strukturave ushtarake me personel, sipas përcaktimeve në dokumentet strategjike, të miratuara me ligj.
- “Shërbim ushtarak rezervist”, pjesa e shërbimit ushtarak që kryhet nga shtetasi shqiptar që ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ dhe ai që ka kapërcyer kufijtë e moshës së caktuar për kryerjen e këtij shërbimi, si dhe ushtaraku i nxjerrë në rezervë, sipas kritereve të ligjit për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
- “Ushtarak në shërbimin në rezervë”, ushtaraku që ka dalë në rezervë nga shërbimi aktiv, si dhe shtetasi që nuk ka shërbyer në Forcat e Armatosura, por plotëson kushtet dhe kriteret sipas përcaktimeve ligjore dhe pranohet në shërbimin ushtarak në rezervë.
Neni 3
Qëllimi
Shërbimi ushtarak rezervist shërben për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetit të kërkuar, rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në rastet e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, si dhe për plotësimin e detyrimeve kombëtare, në kuadër të NATO-s, operacioneve në përgjigje të krizave, operacioneve të mbështetjes së paqes e të sigurisë rajonale e globale, si dhe operacioneve të emergjencave civile.
Neni 4
Shërbimi ushtarak rezervist si veprimtari e veçantë
Shërbimi ushtarak rezervist, si pjesë përbërëse e shërbimit ushtarak, është veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për shtetin, që kryhet në bazë të dëshirës, vullnetit dhe detyrimit për t’i shërbyer vendit.
Neni 5
Personeli në shërbimin ushtarak rezervist
- Shërbimi ushtarak rezervist organizohet dhe funksionon si pjesë përbërëse e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
- Numri i personelit që aktivizohet në shërbimin ushtarak rezervist përcaktohet në Strategjinë Ushtarake dhe Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura.
Neni 6
Kriteret e përgjithshme të shërbimin rezervist
- Në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura pranohet si ushtarak rezervist shtetasi që plotëson këto kërkesa të përgjithshme:
- a) Të jetë shtetas shqiptar;
- b) Të mos jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi:
- c) Të jetë i moshës:
- deri 50 vjeç për ushtar;
- deri 55 vjeç për nënoficer;
iii. deri 60 vjeç për oficer.
- Ministri i Mbrojtjes me udhëzim përcakton kriteret e tjera specifike në varësi të situatës së rrethanave dhe të kërkesave të Forcave të Armatosura.
Neni 7
Titullimi dhe gradimi i ushtarakëve të shërbimit në rezervë
- Ushtaraku rezervist, që ka shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që plotëson kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak rezervist, në momentin e aktivizimit merr gradën që ka pasur në kohën e daljes në rezervë.
- Në rastin kur ushtaraku rezervist nuk ka shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që plotëson kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak rezervist, ai titullohet dhe atij i jepet grada e parë ushtarake.
- Kriteret, procedurat e pranimit, titullimit e të gradimit të ushtarakut në shërbimin ushtarak rezervist përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes.
Neni 8
Kohëzgjatja dhe kushtet e shërbimit ushtarak rezervist
- Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.
- Koha e shërbimit ushtarak rezervist mund të zgjatet mbi kohën e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, kur:
- a) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në kuadrin e vendosjes së masave të jashtëzakonshme dhe për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje;
- b) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare, të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja;
- c) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione humanitare ndërkombëtare, të drejtuara nga BE-ja;
ç) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në mbështetje të autoriteteve civile në emergjencat civile.
- Ushtaraku i shërbimit rezervist nuk ka kufizime territoriale gjatë kryerjes së këtij shërbimi.
- Shtetasit civilë, të cilët plotësojnë kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak rezervist, pranohen nëpërmjet procedurës së rekrutimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak ku përcaktohet edhe koha e shërbimit ushtarak rezervist, për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë. Procedura e rekrutimit, sipas kësaj pike, miratohet me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes.
- Ushtarakut të shërbimit rezervist, në fund të periudhës së aktivizimit, duhet t’i bëhet një vlerësim në përputhje me rregulloren e vlerësimit vjetor të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 9
Lirimi nga shërbimi ushtarak rezervist
Ushtaraku i shërbimit në rezervë lirohet nga ky shërbim në rastet kur:
- a) humbet shtetësinë shqiptare;
- b) dënohet me burgim me vendim të formës së prerë dhe nuk është vendosur pezullimi i ekzekutimit të këtij dënimi;
- c) ka kryer shkelje shumë të rënda disiplinore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
ç) cilësohet i paaftë për vazhdimin e shërbimit ushtarak rezervist, me vendim të komisionit përkatës mjekësor;
- d) për rastet e fatkeqësive familjare dhe kur personat në ngarkim të ushtarakut gjatë kohës së shërbimit në shërbimin ushtarak në rezervë mbeten pa përkujdesje.
Neni 10
Kryerja e shërbimit ushtarak rezervist për shtetasit shqiptarë me dy shtetësi
Shtetasit, që kanë edhe një shtetësi tjetër, krahas asaj shqiptare, mund të kryejnë shërbimin ushtarak rezervist, sipas përcaktimeve të marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve përkatëse.
Neni 11
Të drejtat dhe detyrimet e ushtarakut në shërbimin rezervist
- Të drejtat dhe detyrimet e ushtarakut rezervist gjatë periudhës së aktivizimit të tij në shërbimin ushtarak rezervist janë të njëjta me ato të ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura.
- Ushtaraku i shërbimit në rezervë, kur nuk ka qenë pjesë e shërbimit aktiv kryen betimin ushtarak ditën e titullimit ushtar, nënoficer dhe oficer rezervist.
Neni 12
E drejta e ruajtjes së vendit të punës
- Shtetasi, i cili aktivizohet për kryerjen e shërbimit ushtarak rezervist, ka të drejtën e ruajtjes së vendit të punës kur ka marrë paraprakisht dakordësi me shkrim nga punëdhënësi ose titullari i institucionit për aktivizim në këtë shërbim.
- Kryerja e shërbimit ushtarak rezervist përbën shkak për pezullimin e nëpunësit civil nga shërbimi civil.
- Subjektet shtetërore dhe private janë të detyruara ta rikthejnë në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend tjetër të barasvlershëm.
Neni 13
Plotësimi i njësive dhe reparteve të Forcave të Armatosura
Plotësimi i njësive dhe reparteve të Forcave të Armatosura me ushtarakë rezervistë bëhet nga struktura përgjegjëse për rekrutim-mobilizimin, sipas kritereve të përcaktuara me rregullore të veçantë, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Neni 14
Përjashtimet nga shërbimi ushtarak rezervist
Përjashtohen nga pjesëmarrja në shërbimin ushtarak rezervist shtetasi që kryen detyrat e deputetit, ministrit, prefektit, kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, gjyqtarët, prokurorët, kryetarët e partive politike parlamentare, drejtuesit e institucioneve fetare, përfaqësuesi diplomatik ose konsullor, punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe shtetasi që ndodhet jashtë shtetit me studime ose për t’u kuruar dhe persona që nga ministritë ose institucionet e tjera qendrore përcaktohen si persona që kanë detyra të rëndësishme, ndërprerja e të cilave cenon sektorët jetikë të vendit.
KREU II
DETYRIMET E AUTORITETEVE PËRGJEGJËSE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT USHTARAK REZERVIST
Neni 15
Autoritetet përgjegjëse për rekrutim-mobilizimin dhe organizimin e shërbimit ushtarak rezervist
Autoritetet përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist janë:
- a) ministri i Mbrojtjes;
- b) shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura;
- c) njësitë e vetëqeverisjes vendore;
ç) komandat e forcave dhe ato mbështetëse;
- d) Qendra e Personel-Rekrutimit;
Neni 16
Ministri i Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist ka këto detyra dhe përgjegjësi:
- a) I propozon Këshillit të Ministrave kriteret, procedurat e pranimit, titullimit e të gradimit të ushtarakut në shërbimin ushtarak rezervist, sipas pikës 3, të nenit 7, të këtij ligji;
- b) Propozon normat dhe afatet e përdorimit të uniformës ushtarake që përdoren në shërbimin ushtarak rezervist, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave;
- c) Propozon kriteret dhe masën e kompensimit financiar për subjektet private për periudhën e aktivizimit të ushtarakut në shërbimin ushtarak rezervist, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave;
ç) Miraton, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, rregulloren përkatëse për përcaktimin e kritereve e të përgjegjësive të strukturave ushtarake për plotësimin e njësive dhe reparteve të Forcave të Armatosura me ushtarakë rezervistë;
- d) Miraton, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, planin vjetor të rekrutim-mobilizimit të personelit të shërbimit ushtarak rezervist dhe planin vjetor të aktivizimit të forcave rezerviste për zhvillimin e stërvitjeve e të veprimtarive të tjera;
- dh) Miraton, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, konceptin për organizimin dhe përdorimin e forcës rezerviste;
- e) Miraton, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, rregulloren e përdorimit të uniformave, shenjave dhe simboleve ushtarake që përdoren në shërbimin ushtarak rezervist;
ë) Nënshkruan ose delegon kompetencat dhe përgjegjësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve ose kontratave të huas me subjektet private dhe kontratave të huapërdorjes me subjektet publike pronare të tyre, ku përcaktohen detyrimet e palëve;
- f) Miraton, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, modelet e dokumentacionit për evidentimin, identifikimin dhe përpunimin e të dhënave të shërbimit ushtarak rezervist që administrohet në Qendrën e Personel-Rekrutimit dhe në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura.
Neni 17
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka këto detyra dhe përgjegjësi:
- a) Bashkëpunon me autoritetet civile për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist;
- b) Propozon modelin, normat dhe afatet e përdorimit të uniformës, shenjave dhe simboleve ushtarake që përdoren në shërbimin ushtarak rezervist;
- c) Zhvillimin e koncepteve për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist.
Neni 18
Bashkëpunimi me ministrin përgjegjës për shëndetësinë
Ministri i Mbrojtjes, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për shëndetësinë, miraton rregulloren e aftësive fizike e shëndetësore të shtetasit dhe ushtarakut në rezervë për efekt të pranimit të tyre në shërbimin ushtarak rezervist.
Neni 19
Bashkëpunimi me ministrin përgjegjës për çështjet e drejtësisë
Ministri përgjegjës për çështjet e drejtësisë, nëpërmjet strukturave përkatëse, njofton Qendrën e Personel-Rekrutimit për statusin e gjendjes gjyqësore të ushtarakut në shërbimin në rezervë, kur ai është i dënuar me heqje lirie, brenda 15 ditëve nga dita kur ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës.
Neni 20
Bashkëpunimi me ministrin përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike
Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, nëpërmjet strukturave përkatëse për gjendjen civile dhe çështjet e kufirit e të migracionit, njofton ndryshimet në regjistrin e gjendjes civile në lidhje me ndryshimin e shtetësisë, çregjistrim për shkak të vdekjes, adresat e banimit, si dhe largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë të ushtarakëve të shërbimit në rezervë, brenda 15 ditëve nga dita e dërgimit të kërkesës nga struktura përkatëse.
Neni 21
Detyrimet e organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore
Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për lajmërimin e shtetasit që thirret për t’u aktivizuar në shërbimin ushtarak rezervist, sipas listës së dërguar nga Qendra e Personel- Rekrutimit dhe strukturat e tjera ushtarake.
Neni 22
Detyrimet dhe përgjegjësitë e komandave të forcave dhe strukturave mbështetëse
Komandat e forcave, strukturat mbështetëse dhe strukturat e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ushtrojnë detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me rregullore të veçantë, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes.
Neni 23
Përgjegjësitë e Qendrës së Personel-Rekrutimit
Qendra e Personel-Rekrutimit ka këto detyra dhe përgjegjësi:
- a) Zbaton planin e rekrutim-mobilizimit të personelit të shërbimit ushtarak rezervist për zhvillimin e stërvitjeve dhe të veprimtarive të tjera;
- b) Përgjigjet për sigurimin e personelit të nevojshëm për shërbimin ushtarak rezervist dhe plotësimin e njësive e të reparteve të Forcave të Armatosura me personel rezervist;
- c) Përgjigjet për hartimin dhe përditësimin e listës emërore të personelit në shërbimin ushtarak rezervist, brenda muajit janar të çdo viti;
ç) Realizon, në bashkëpunim me strukturat e tjera përgjegjëse, lajmërimin e ushtarakëve të shërbimit ushtarak rezervist, në rast aktivizimi, stërvitjeje dhe mobilizimi;
- d) Nënshkruan kontratat përkatëse me personelin e përzgjedhur për shërbimin ushtarak rezervist;
- dh) Propozon te shefi i Shtabit të Përgjithshëm modelet e dokumentacionit për evidentimin, identifikimin dhe përpunimin e të dhënave të shërbimit ushtarak rezervist që administrohet në Qendrën e Personel-Rekrutimit dhe në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura.
Neni 24
Subjektet shtetërore dhe private
Subjektet shtetërore dhe private, në çdo rast kur njoftohen apo kur u kërkohet nga autoritetet përgjegjëse për shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura, janë të detyruara t’u japin leje në afatin dhe periudhën e kërkuar punëmarrësve të tyre, pa krijuar pengesa apo vonesa.
Neni 25
Komisionet mjekësore të kontrollit të aftësive për shërbimin ushtarak rezervist
- Për kontrollin e aftësive të shtetasit për pranim në shërbimin ushtarak rezervist, në strukturën mjekësore ushtarake të Forcave të Armatosura krijohet komisioni mjekësor i kontrollit të aftësive fizike e shëndetësore.
- Qendra e Personel-Rekrutimit dërgon paraprakisht pranë strukturës mjekësore ushtarake të Forcave të Armatosura listën e personelit ushtarak që do të kontrollohet për efekt të aktivizimit të tyre në shërbimin ushtarak rezervist.
- Përbërja e komisioneve, detyrat dhe përgjegjësitë përcaktohen në rregulloren e aftësive fizike e shëndetësore të ushtarakut, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes dhe ministri përgjegjës për çështjet e shëndetësisë.
Neni 26
Marrja në evidencë e ushtarakut të shërbimit në rezervë
- Evidentimi i ushtarakëve të shërbimit në rezervë, si burime njerëzore për kryerjen e detyrimit të shërbimit ushtarak rezervist, realizohet nga Qendra e Personel-Rekrutimit.
- Qendra e Personel-Rekrutimit merr në evidencë ushtarakët e Forcave të Armatosura që dalin në rezervë nga shërbimi aktiv dhe shtetasit që pranohen në shërbimin ushtarak në rezervë.
Neni 27
Heqja e shtetasit nga evidenca ushtarake
Ushtaraku i shërbimit në rezervë hiqet nga evidenca ushtarake në rastet kur:
- a) deklarohet i paaftë për shërbim ushtarak në rezervë me vendim të komisionit mjekësor;
- b) mbush moshën e përcaktuar sipas nenit 6, të këtij ligji;
- c) lë shtetësinë shqiptare;
ç) vdes;
- d) përfundon kontratën e shërbimit rezervist.
Neni 28
Detyrimet e ushtarakut në rezervë dhe rezervist për efekt të evidencës ushtarake
- Ushtaraku në rezervë, si dhe shtetasi që pranohet rishtas në shërbimin ushtarak rezervist ka detyrimin të njoftojë Qendrën e Personel-Rekrutimit për të dhënat e tij të kontaktit (adresën e vendbanimit brenda vendit, numrin e telefonit, adresën elektronike, e-mail-in etj.), fillimin e studimeve në institucionet e arsimit të lartë brenda ose jashtë vendit, si dhe ndryshimet përkatëse.
- Ushtaraku në rezervë, si dhe shtetasi, i cili pranohet rishtas në shërbimin ushtarak rezervist, i cili largohet jashtë shtetit mbi 6 muaj, është i detyruar të njoftojë Qendrën e Personel-Rekrutimit për të bërë shënimet përkatëse në evidencën e shërbimit ushtarak në rezervë.
Neni 29
Detyrimet në rast aktivizimi të ushtarakut të shërbimit në rezervë
- Ushtaraku në shërbimin në rezervë, i cili ka detyrimin për aktivizim në shërbimin ushtarak rezervist, kur lajmërohet me fletëthirrje për të marrë pjesë në stërvitje, operacion ose mision me marrjen e lajmërimit për mobilizim/aktivizim, detyrohet të paraqitet në Qendrën e Personel-Rekrutimit ose në strukturën ku është caktuar.
- Ushtaraku në shërbimin në rezervë, në rast të pamundësisë së paraqitjes për arsye të forcës madhore ose fatkeqësive familjare, me të marrë njoftim, vë në dijeni, në vendin e kohën e caktuar, Qendrën e Personel-Rekrutimit ose strukturën ku është caktuar.
Neni 30
Kundërvajtjet administrative
- Shmangia e ushtarakut rezervist nga detyrimet në fushën e evidencës ushtarake ose nga pjesëmarrja në stërvitje, trajnime dhe operacione të ndryshme ushtarake brenda dhe jashtë vendit, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë.
- Subjektet shtetërore dhe private që nuk përmbushin detyrimet, sipas pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji, ndëshkohen me gjobë, në masën e 20-fishit të pagës minimale mujore në shkallë vendi.
- Pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit, për shqyrtimin e shkeljeve që përbëjnë kundërvajtje administrative, krijohet Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative.
- Rregullorja për funksionimin dhe përbërja e Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, parashikuar në pikën 3, të këtij neni, miratohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
Neni 31
Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative, ankimi dhe ekzekutimi i gjobës
- Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative bëhet në përputhje me dispozitat e ligjit nr.10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, dhe Kodit të Procedurave Administrative.
- Kundër vendimit për kundërvajtjen administrative, të marrë nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, mund të bëhet ankim në gjykatë.
- Vendimi i komisionit është titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e vendimit të kundërvajtjes administrative ngarkohet shërbimi përmbarimor.
Neni 32
Nxjerrja e akteve nënligjore
- Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji., të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 3, të nenit 7, dhe të shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 16, të këtij ligji.
- Ngarkohet ministri i Mbrojtjes, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 6, të pikës 5, të nenit 8, të nenit 13, të shkronjave “ç”, “d”, “dh”, “e” dhe “f”, të pikës 1, të nenit 16, të nenit 22 dhe të pikës 4, të nenit 30, të këtij ligji.
- Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktin nënligjor, në zbatim të nenit 18, dhe të pikës 3, të nenit 25, të këtij ligji.
Neni 33
Shfuqizimet
Në ligjin nr.9047, datë 10.7.2003, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pika 4, e nenit 2, pika 3, e nenit 5, pika 3, e nenit 9, pikat 2 dhe 3, të nenit 10, nenet 24, 25, fjala “… rezervist …” në pikën 1, si dhe togfjalëshi “… dhe lajmërimin e rezervistëve …” në pikën 2, të nenit 27, togfjalëshi “… ose rezervist …” në pikën 2, të nenit 33, pika 3, e nenit 39, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 34
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI