Aktualitet
Në Dobraç dhe në Nikël je si në Meksikë/ Klodiana Lala bën historikun e përplasjeve në Shkodër
Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit”, se konflikti mes grupeve Lici dhe Bajri është i hershëm dhe se institucionet kanë mbyllur sytë përpara këtyre ngjarjeve të rënda.
“Historiku i përplasjes së Licëve dhe Bajrave nuk ka nisur sot. Që ka bashkëpunim qeveri-krim kjo dihet. Arlind Bushati vajti më 11 tetor te policia dhe tha se kanë tentuar ta vrasin. Fati i keq deshi që ta vrisnin dje. Thjesht këtu të gjitha institucionet kanë mbyllur sytë. Përse nuk është reaguar, kush prokuror e ka patur çështjen? Nëse ka gabuar prokurori i SPAK-ut, duhet hetuar. Kur ndodhi historia e vëllezërve Prendi policia nuk guxonte të jepte njoftim.
Në Dobraç dhe në Nikël je si në Meksikë. Nuk hyn dot. Duhet të japësh emër, mbiemër, ku po shkon. Këtu është dështim i shtetit.
Kur shkova për herë të parë për të intervistuar Licin, ajo që vura re ishin muret 6 metra të lartë. Unë vëzhgohesha që kur hyra. Ata kishin 7 palë sy, unë një palë sy. Krimi e ka vënë poshtë shtetin.
Ngjarja e djeshme ka qenë me mllef. Është përdorur një automjet “Range Rover” që tregon aftësinë financiare të krimit të organizuar. Ka informacione që shpërndahen nga punonjës të policisë. Pjestarët e grupit Bajri bënin atentate në të gjithë Shqipërinë dhe dinin gjithçka. Ka patur gjobëvënie ndaj bizneseve. Muhamet Lici u vinte gjoba tregtarëve në Shkodër dhe kush nuk paguante i digjej prona. Pastaj bënin trafik armësh.”- tha Lala.