Connect with us

Kosova

Kosova në udhëkryqin e historisë/ Me Harris pak pritje, me Trump turbullira

Zgjedhja e amerikanëve më 5 nëntor do të ndihet anembanë globit – deri në Kosovë – dhe do t’i ndikojë politikat në një mënyrë ose tjetër.

Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht zëvendëspresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit duket se do të ketë pak pasoja për bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm. Ai mbetet i bindur se përkushtimi i tij për t’u angazhuar me liderë me prejardhje të ndryshme politike, do të vazhdojë.

Por për analistët në SHBA, situata nuk do të jetë aq e thjeshtë. Fillimisht, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kontestin territorial në Detin e Kinës Jugore, Kosova nuk do të depërtojë lart në agjendë.

Pastaj kujtojmë se kandidaten në garë janë krejtësisht të ndryshëm – Harris me aspak përvojë në Ballkanin Perëndimor dhe Trump i njohur për qasje transaksionale, apo ‘shit e blej’.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes, dhe Wisner nuk pret ndonjë lëvizje në këtë drejtim, edhe nëse Harris zgjidhet presidente.

David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, ndan pikëpamje të ngjashme. Ai nuk pret ndonjë veprim domethënës prej Kamala Harris në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump te eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë dhe kujtoi se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Nga ana tjetër, David Phillips u shpreh po ashtu, se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm qe do ta destabilizonte Kosovën, por do hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia.

Kujtojme se ne muajin maj, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka bërë kontratë me shtetin e Serbisë për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin e një ish-baze ushtarake në Beograd.

Richard Grenell, i cili në kohën e administratës Trump ka qenë përfaqësues i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shtyrë përpara marrëveshjen për shkëmbim territoresh, ka zhvilluar po ashtu marrëdhënie të ngushta me Qeverinë e Serbisë.

Donald Trump Jr. e ka cilësuar Grenellin si “pretendent kryesor për pozitën e sekretarit të Shtetit”, nëse ai do merrte timonin e Shtëpisë së Bardhë.

Advertisement