Connect with us

Politike

‘Televizionet po ju mashtrojnë, janë altoparlantë që i lëpihen qeverisë Rama’

Sali Berisha ishte mjaft i ashpër me qeverinë mbrëmjen e kësaq të martë në fjalimin për mbështetësit poshtë banesës së tij. Ai tha se qeveria përveçse vjedh qytetarët, censuron opozitën me mediat në favor të tij.

“Censuron në mënyrë të egër opozitën, përpjekjet e saj për t’u paraqitur qytetarëve të vërtetat. Enti i vëzhgimit të medieve audiovizive është shndërruar sot në entin e turpit kombëtar, e censurës kombëtare” – tha Berisha për AMA (Autoriteti i Mediave Audioovizive). Berisha tha se opozitës i deformohen mesazhet, i fshihen mesazhet, i përmblidhen mesazhet vetëm e vetëm që të mashtrohen qytetarët.

“Mediat kombëtare private dhe publike, se tani nuk i njeh më se çfarë janë, nga mëngjesi gjer në darkë janë shndërruar në altoparlantë të qeverisë, në institucione të dezinformimit masiv.

I ndiqni ekranet e tyre, e kanë me borxh të japin edhe teshtimat e Edi Ramës, të japin çdo jaht që vjen dhe mbushet më 500 mijë litra naftë me 1/3 e çmimit në portet tona, dhe u bëka reklamë, paçka se supermiliarderët vijnë dhe nxjerrin udhëtimet falas pa pare, duke blerë naftën 4 herë më lirë se shqiptarët. Kurse mediat e censurës kombëtare, mediat e lustrës kombëtare, nuk arrijnë kurrë t’u thonë shqiptarëve të vërtetat e tyre. Nuk flasin njëherë për pensionistët” – tha ndër të tjera Berisha.

“Mediat e censurës kombëtare, që të gjitha pa përjashtim, do të thoshte një gazetar i ndershëm, linjat editoriale i marrin nga zyrat e famëziut Edi Rama dhe Fuga. Ato funksionojnë me lista të dërguara nga Edi Rama, në të cilat u thuhet se ky politikan apo ajo politikane, nuk duhet të ekzistojë në lajmet tuaja, nuk duhet të ekzistojë në studiot tuaja. Dhe lista e të tjerëve që duhet t’i ftoni, t’i denigroni, t’i agresioni në studio.

Mediat kombëtare janë shndërruar jo vetëm në censorë kombëtarë, por edhe në prokurorë të qeverisë ndaj kundërshtarëve të saj dhe opozitës. Mediat kombëtare çdo gjë mund të jenë, por vetëm kombëtare nuk mund të jenë kurrë. Nuk janë kombëtare mediat që fshehin të vërtetat. Nuk janë kombëtare mediat që mashtrojnë qytetarët. Nuk janë kombëtare mediat që i thurin lavde narkodiktaturës, që fshehin krimet e diktatorit, vëllait të tij, familjarëve të tij, ministrave të tij” – tha kreu i PD.

“Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës. T’i lëmë në hapësirën e mashtrimit dhe të dezinformimit mediat e kontrolluara nga Edi Rama, të cilat i lënë opozitës më pak se 10% dhe dërdëllisin gjithë ditën për Edi Ramën. Të cilat përpiqen me çdo kusht të zbukurojnë me çdo kusht narkodiktaturën. Përpiqen me çdo kusht të mbrojnë kriminelët e pushtetit.

Përpiqen me çdo kusht të paraqesin Shqipërinë si një vend normal, paçka se sot Shqipëria si asnjë vend tjetër në Europë ka të burgosur, në ndjekje penale liderë të tre partive kryesore opozitare, dhe sipas tyre kjo nuk është diktaturë. O servilë, historia do u dënojë për mashtrimin që u bëni shqiptarëve” – tha Berisha.

“Nuk ka si në Shqipëri, nuk dallon dot kush është RTSH, kush është Top Channel, Klan apo Vizion Plus. Të gjitha në garë kush e kush më parë t’i lëpihet qeverisë, të mashtrojë qytetarin. Cila e cila më shumë të censurojë opozitën, të demonizojë opozitën, të mashtrojë për opozitën” – tha Berisha që u kërkoi mbështetësve të tij që lajmet t’i marrin në rrjetet sociale.

“Ndaj miqtë e mi, në këtë betejën tonë të mosbindjes civile, le të kthejmë kokën sapo të shohim dordolecë, mashtrues, altoparlantë, papagaj të qeverisë, që shpërndajnë mashtrime ditë e natë për të mbajtur në pushtet diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve. Licencat tuaja kombëtare janë shndërruar në antikombëtare, në altoparlantë të mashtrimit dhe dezinformimit të qytetarëve. Historia do ju dënojë” – tha ai.

Advertisement