Connect with us

Politike

Rakipi pyet Vokshin për komisionin hetimor “horror”: Çfarë do ta pyesnit ju Edi Ramën?

Komisioni hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi u mbyll me ulërima dhe debate të forta. Shkak për këtë, Ilir Beqja pas 48 orësh, nuk arriti të dëshmojë, ndërkohë që opozita akuzon mazhorancën se “fshehën” Edi Ramën dhe Vilma Nushin.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, ishte e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku u pyet lidhur me komisionin dhe pse Beqja nuk u la të dëshmonte, ndërkohë që Komisioni degjeneroi në ulërima.

Albana Vokshi: Komisioni vërtetoi se Edi Rama është kryesori, urdhëruesi, mbrojtësi i koncesioneve. Ka shkuar në dy komisione hetimore dhe nuk erdhi këtu. E mbrojtura e Ramës është Vilma Nushi, që nuk e lejoi të vinte.

Ylli Rakipi: Më shumë se të zbërthejmë problemin, ne përpiqemi të bëjmë propagandë. Më tha njëri nga aty brenda jush, aman më mirë të vidhte dhe dy koncesione Beqja, sesa ky tmerr që pamë. E tepruar ishte. Ju nuk e latë të dëshmojë, pse Beqja të mos përdorte Power Point? U bë luftë dhe nuk u kuptua asgjë.

Albana Vokshi: Ishte pjesë e skenarit. Ligji nuk e lejon dhe duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Beqja është më pak i mirë se të tjerët. Por, të paktën në komision është i barabartë me çdo dëshmitar tjetër, që janë paraqitur dhe kanë dëshmuar. Ajo që thoni ju, tmerri që ka hequr Beqja, është një legjendë që do PS ta shpërndajë. Beqja ka qenë në kushte shumë të mira, ka bërë pritje me deputetët e PS. Ka qenë i lirë edhe pse nuk e lejon ligji. Me pranga janë sjellë edhe të tjerët.

Ylli Rakipi: Po këtë Power Point pse nuk e lejuat?

Albana Vokshi: Për ata që kanë ndjerë keqardhje po ju them se Beqja duhet të ishte i izoluar në një dhomë. Nuk ishte, ka qenë i lirshëm, hynte dhe dilte nëpër korridore, na përgjonte pas dere. Ka ngrënë dhe ka pirë, ka bërë pritje speciale me deputetët. Pra ka qenë krejt i lirë. Prangat i përdori Edi Rama për show. E dyta, nuk jemi prokurori dhe gjyaktë, nuk vjen aty për tu mbrojtur. Komisioni hetimor nuk përdoret për tu mbrojtur. Ligji parashikon, çdo dëshmitar ka të drejtë të bëjë një deklaratë të shkurtër për objektin që ka ardhur. Ja kemi shpjeguar. E kishin të sajuar.

Ylli Rakipi: Njeriu duhet të lejohet të mbrohet.

Albana Vokshi: Siç ka qenë për tjetër ka qenë edhe për këtë. Te inceneratori, Arben Ahmetaj kishte përgatitur të njëjtin prezantim me Power Point dhe nuk është lejuar. Në Komision, dëshmitari i përgjigjet pyetjeve. Ai kishte përgatitur prezantim me 240 slides.

Ylli Rakipi: Pse u refuzua thirrja e Ramës dhe Nushit, çfarë ju thanë?

Albana Vokshi: Asnjë argument, nuk vjen, pikë mbaroi. Për Edi Ramën asnjë, nuk vjen, pikë mbaroi. Ndërsa për Vilma Nushin thanë nuk është përfituese. I thamë dy kompanitë e Vilma Nushit janë aksionerë, kanë fituar koncesionin. Edhe pa licensa. Kanë shkaktuar dëm, buxhetit. Vilma ka përfituar dividend 1.7 milionë euro. Por, nuk janë vetëm këta të dy. Është Admir Daca, administratori i sterilizimit. Altin Fani, që gjeti një rrugë jashtë shtetit dhe tha nuk jam në Shqipëri. Tjetri theu këmbën. Tjetri vajti në spitali, Altin Biba. Kemi edhe tre shtetas italianë, refuzuan të vijnë. Janë dhjetë dëshmitarë që nuk janë marrë në pyetje.

Ylli Rakipi: Çfarë do ta pyesnit ju Edi Ramën? Se ai thotë merrem me idetë dhe vizionet, nuk di gjë unë për procedurat.

Albana Vokshi: Ai ka qenë i pari që ka futur koncesionet me këtë mënyrë, PPP. Edi Rama në mes të 2014 ka VKM nga ai dhe ka përcaktuar shërbimet që do të jepen me konceison, midis të cilave sterilizimi dhe check up. Më vonë, pasi doli VKM u ngritën dy grupe pune. E kishte përcaktuar Edi Rama, grupet e punës i mblodhën kot. Do ta pyesja pastaj, pse ja dha Vilma Nushit. Të gjithë e dinë lidhjen e Ramës me Vilma Nushit, është kushërira, sponsore e PS, përfituese e tenderave dhe prokurimeve. Nëse i referoheni një shkrimi që ka bërë në 2015 profesori Isuf Kalo, ka thënë nuk është koncesioni i keq i Check up, por duke rritur numrin e të sëmurëve në mënyrë fiktive, mafia e ilaçeve merr tenderat e tjerë dhe vjedh më tepër. Vilma Nushi ndryshoi ligjin e barnave dhe i fut nga Serbia të pacertifikuar.

Advertisement