Aktualitet
Ngritën dy laboratorë kokaine, anëtarët e grupit kriminal dalin nesër para SPAK
10 anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan dy ditë më parë gjatë operacionit të antidrogës të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme, Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, do të dalin nesër para SPAK. Pritet që ata të dalin nesër rreth orës 09:30 para SPAK për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Gjatë operacionit të antidrogës u arrestuan në flagrancë Geis Fejsullai, Klajdi Birçe, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi, Hiwlen Narvaez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latinë për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri, “laborantët” e përpunonin duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian. Përveçse në Krujë dhe në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit që kishin role të mirë përcaktuara. Disa ishin financues, disa transportues, përpunues, të tjerë shpërndarës.