Connect with us

Kosova

‘Dënoni ata që e meritojnë’/ Albin Kurti thirrje UEFA-s dhe FIFA-s

Në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Nations League, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar për vizitë te përfaqësuesja e Kosovës, duke dhënë mbështetjen e tij për futbollistët, stafin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo vizitë e kreut të Qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitija vjen si një gjest solidariteti dhe mirënjohjeje për qëndrimin parimor të Kosovës në ndeshjen kundër Rumanisë, ku futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi falënderoi Kurtin për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij kryeministri Kurti e vlerësoi qëndrimin e lojtarëve dhe të federatës si parimor, të drejtë e të dobishëm për vendin dhe futbollin.

“Është kënaqësi dhe nder që takohemi sot bashkë. Së pari duhet të ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që e keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë të shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra.

“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, shtoi kryeministri.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë.”, nënvizoi Albin Kurti.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti citoi deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes:

“Dua t’i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të mos lejojnë këso gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë masakra e gjithçka, s’ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet ta dijnë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri, Kaq, këtu mbaron.

Me këtë qëndrim të tij kapiteni ynë Amir Rrahmani ka treguar se anija e jonë e përbashkët është shtetërore, kombëtare e sportive, e nuk është tregtare apo revizioniste qysh duan disa kryeqendra tjera të vendeve autoritare, e posaqërisht fqinji ynë armik e agresiv në veri të shtetit tonë.

Unë nuk di të luaj aq mirë futboll, p.sh. Kryetari i Kuvendit luan shumë më mirë se unë, por përndryshe sa i përket këtij qëndrimi e kishim bërë një rrokadë me Amir Rrahmanin.

Ai me këtë qëndrim do të mund të ishte taman kryeministër, por fatkeqësisht unë nuk mund ta zëvendësoj atë në ndeshjet e futbollit. Edhe një herë ju them se nuk bën të kemi dilemën as më të vogël për drejtësinë e qëndrimit dhe vendimit tuaj për të cilin po e ritheksoj e keni mbështetjen tonë të plotë, të pakursyer e të parezervë”, citoi Kurti.

Advertisement