Sport
Shifrat “dënojnë” Sylvinho-n, Kombëtarja ka humbur ritmin “Samba”
Duhej me çdo kusht të shmangej humbja, por në kryeqytet u vu në jetë pikërisht skenari i fundit, skenari më i errët. Ukraina triumfoi në “Stadiumin Kombëtar” duke bërë që Shqipëria të mbyll fazën e grupeve në vendin e fundit, me kuqezinjtë që zbresin në këtë mënyrë në Ligën C.
“Nëse do të ishim në një grup tjetër, me 7 pikë do të kalonim më tej”, ky konstatim i Sylvinho-s është i vetmi përfundim i saktë, pasi asnjë ekip tjetër në asnjë grup apo Ligë nuk e mbylli fazën e grupeve në vendin e fundit me 7 pikë.
Ky fakt tregon forcën e këtij grupi, por nga ana tjetër është një kambanë e fortë përpara shortit të Botërorit, nëse e mbyll në vendin e fundit në një grup me përfaqësuese në nivele të tillë, të përafërta me Shqipërinë, në Botëror Sylvinho duhet të shpik diçka ndryshe nëse nuk dëshirojmë të jemi thjesht kalimtar.
Duke u rikthyer te shifrat dhe faktet, Shqipëria e mbylli këtë edicion të Ligës së Kombeve me 2 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, 4 gola të shënuar dhe 6 të pësuar. Të dy fitoret erdhën në transfertë, ndërsa bashkë me emrin “Air Albania”, është larguar prej kohësh edhe miti i pathyeshmërisë në shtëpinë tonë. Ky ishte një edicion ku u futen në lojë për të zënë vendin e parë, por e mbyllin në vendin e fundit.