Aktualitet
Organizimi dhe përshtatja e ambjenteve për baste sportive, arrestohen 6 persona
Gjashtë persona janë arrestuar në Tiranë, pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Bad spin2”. Gjatë këtij operacioni, janë identifikuar disa persona që kryenin aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e basteve sportive, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambjente, u arrestuan në flagrancë 6 persona të implikuar në këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë një 18-vjeçar, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një bar-kafe në administrim prej tij, janë gjetur 50 televizorë në kuti të pahapura, të markave të ndryshme, të dyshuar të kontrabanduar. Televizorët së bashku me 6 aparate celulare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Bad spin 2”.
Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte si dhe shtetas, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara (baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 6 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale:
E. Ç., 56 vjeç, J. Ç., 47 vjeç, V. H., 46 vjeç, E. F., 22 vjeç, D. R., 19 vjeç, M. M., 21 vjeç,.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi R. T., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një bar-kafe në administrim prej tij, janë gjetur 50 televizorë në kuti të pahapura, të markave të ndryshme, të dyshuar të kontrabanduar.
Televizorët së bashku me 6 aparate celulare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan prokurorisë.