Connect with us

Kronike

Vrasja e Klaudio Prendit/ Dosja i kalon SPAK, ka dyshime se u vra nga një ‘grup i strukturuar kriminal’

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për vrasjen e Klaudio Prendit. Dosja për ekzekutimin e të riut pak ditë më parë i ka kaluar për ‘moskompetencë’ Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi ka dyshime se ekzekutimi është kryer nga nga një grup i strukturuar kriminal. Por ende nuk bëhen me dije detaje të tjera nga të dhënat që ka grumbulluar deri më tani Prokuroria e Tiranës. Për vrasjen e të riut, Policia e Tiranës po skanon edhe një personazh që njihet në kryeqytet si “Kleo i Freskut”. Sipas të dhënave të mësuara deri më tani, “Kleo”, identiteti i plotë i të cilit ende nuk është bërë me dije, ka lidhje miqësore me dy vëllezërit, Erlis dhe Leonard Duka.

Por cila është lidhja me të ndjerin Klaudio Prendin?

Klaudio Prendi ka pasur një konflikt me “Kleon e Freskut”, gati 5 ditë para se të ndodhte ekzekutimi i 30-vjeçarit. Të dy ishin konfliktuar fizikisht në zonën e njohur si “rrugica e Salës”, ku shkak i sherrit besohet se ka qenë një shumë prej 15 mijë eurosh që viktima ia kishte marrë borxh. Aktualisht kjo është pista kryesore e hetimit, pasi edhe burime të tjera e kanë informuar Policinë e Shtetit se i riu ishte i njohur për lojrat e fatit dhe paratë me fajde.

Ndërkohë një pistë e dytë është dhe ajo e verifikimit të informacioneve se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së babait të viktimës, pasi Fran Prendi ka punuar për disa vite me rradhë si gjyqtar i Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

I riu nga Puka u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së të martës, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital.

Advertisement