Aktualitet
Prekëse/ Babai i Luis Meçes: Dua që djali im të luajë sërish futboll dhe të përfaqësojë me krenari Martin Canin!
Fiqiri Meçe, babai i Luis Meçes, 14-vjeçarit që mbeti i plagosur në shkollën “Fan Noli”, ku dhe mbeti i vrarë Martin Cani, është shprehur se ai ka nevojë për dikë që t’i japë siguri për shëndetin e djalit të tij. Familja Meçe ka hapur një “Gofundme” për të mbledhur 80 mijë euro për kurimin e Luisit, por kjo nismë u pasua nga një reagim i Spitalit të Traumës, që shprehet se i kanë ofruar 14-vjeçarit gjithçka që ka pasur nevojë dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të tyre. Megjithatë, zoti Meçe nuk e hedh poshtë këtë deklaratë. Ai shprehet se çdo gjë i është ofruar, por si prind, ka të drejtën e tij që të kërkojë që fëmija i tij të marrë një mjekim më të specializuar.
“Unë nuk kam asgjë kundër Spitalit të Traumës. Na kanë ofruar gjithçka që ata kanë pasur mundësi, por kush më garanton mua që fëmija im do të lozë sërish futboll? Ai krahun nuk e lëviz dot akoma, unë dua garanci me shkrim dhe me firmë, që fëmija im do të rikuperohet si më parë dhe kjo garanci nuk më është ofruar. Me thotë dot njeri këtë? Unë ndaj e kam hapur “Gofundme”, për të mbledhur çfarë më duhet dhe ta dërgoj diku jashtë, ku më ofrohet garancia që fëmija im do të bëhet si më parë. Ai ka humbur dhe shokun e ngushtë dhe për të është dhimbje e dyfishtë, ka dëshirë të përfaqësojë denjësisht dhe Martinin në futboll,”- tha ai
I pyetur rreth ekspertizës mjekoligjore, Fiqiri Meçe shprehet se ende nuk ka asnjë rezultat final ku thuhet nëse djali i tij është qëlluar me dy thika apo me një thikë.
“Dhe ekspertizën mjekoligjore s’ja kanë mbaruar akoma, sot kanë ardhur dhe kanë marre mostrat e shpinës, pres që të dalë përfundimi se mesa thika është qëlluar dhe do ta bëj publike në media,”- shtoi Meçe.
Përsa i përket pamjeve filmike nga vendngjarja që mund të zbardhë edhe numrin e personave që kanë qenë të pranishëm, Fiqiri Meçe thotë se nuk është njohur me to, por që po e ndjek ligjërisht si çështje. Sot, Policia e Shtetit reagoi e indinjuar me mediat për përhapjen e lajmeve që në vendngjarje ka qenë dhe një person i dytë, i identitifkuar si Kledion Bejkaj, pasi sipas tyre, ky person nuk është përfshirë në sherr.
Por Meçe thotë se me argumentin se ngjarja është ende nën hetim, dy avokatët e tij janë njohur vetëm me momentet që fëmijët futen në shkollë dhe më pas dalin të përgjakur, e jo me ato që tregojnë momentet e sherrit fatal.
Pjesë nga intervista për ZËRI:
Fiqiri Meçe: Avokatëve të mi u kanë treguar vetëm pamjet që hyjnë dhe dalin nga shkolla, jo ato te vendngjarjes.
Pyetje: E sheh djali Kledionin në këto pamje?
Fiqiri Meçe: Djali po, sepse unë vetë nuk i njoh. Por, pamjet e sherrit s’i kemi parë, s’na i japin me argumentin që po hetojme akoma. Ngjarja është nën hetim, unë kam dy avokatë që po e ndjekin si çështje dhe u kanë dorëzuar vetëm momentet që shihen fëmijët duke hyrë në shkollë dhe duke dalë./ZËRI