Connect with us

Rajon

Në Tuz të Malit të Zi vendoset busti i Gjergj Kastriotit

Busti i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vendos në sheshin qendror të komunës së Tuzit, në Mal të Zi me ceremoni kulturore dhe në praninë qytetarëve të Malit të Zi, nga hapësira mbarëshqiptare dhe të mërgimtarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njëri nga nismëtarët e vendosjese së bustit të heroit kombëtar, ish zyrtari vendor dhe nënkryetari aktual i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj tha se Gjergj Kastrioti do të rrijë krenar përballë Bratilës së Ded Gjon Lulit, ku gërshetohet me përpjekjet e Malësisë ndër shekuj për ta arritur lirinë kombëtare.

“Kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për Malësinë, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Kemi Gjergj Kastriotin Skenderbeun përballë Bratilës ku për herë të parë u ngrit flamuri për herë të parë pas vdekjes së kryetrimit. Është e vërtetë një gjë e madhe dhe dua të falenderoj çdo njeri që ka vendos qoftë një guralec në këtë projekt madhështorë”, tha zoti Camaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, vuri në dukje se inagurimi i bustit rithekson vlerat e Gjergj Kastriotit si një udhërrëfyes i kombit shqiptar, kryehero dhe frymëzimi i qëndresës së tyre.

“Për shqiptarët në Malin e Zi është një ditë shumë e rëndësishme dhe me rëndësi historike për shqiptarët në Malin e Zi të cilët rrezikohen nga asimilimi. Simbolika e inagurimit të bustit në Malësi është një shenjë e zhvillimit të shqiptarëve dhe përforcon bashkimin rreth identitetit dhe vlerave kombëtare për të cilët ne jemi krenar”, tha zoti Nika,

Ndërkaq, përfaqësuesi i shoqatave të mërgimtarëve në SHBA, zoti Ndrek Gjolaj që kontribuan për ngritjen e bustit, ngjarjen e vlerësojnë si një festë të madhe për shqiptarët kudo që janë.

“Gëzuar Malësisë dhe mbarë malësorëve kudo që janë përmendoren e Gjergj Kastriotit që po vendoset sot dhe ta gëzojnë brez pas brezi”, tha zoti Gjolaj, kryetar i Shoqatës Malësia e Madhe në Detroit.

Pas ndarjes së Tuzit nga Komuna e Podgoricës dhe krijimi i një komune te re, Kuvendi i këtij qytetit njëzëri miratoi vendimin për ngritjen e shtatores së Skënderbeut që ishte një ëndërr e kahmotshme e komunitetit në këtë zonë.

Busti i shumëpritur i Gjergj Kastriotit u realizua në bashkëpunim me diasporën shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë që sheshin e ri e financoi Republika e Shqipërisë./ VOA

Advertisement