Aktualitet
Përkeqësohet moti në veri të vendit, si paraqitet situata në qarkun e Shkodrës
Reshje intensive shiu kanë prekur disa zona të qarkut të Shkodrës në 24 orët e fundit, me shkarkime të shumta, por autoritetet lokale kanë deklaruar se nuk ka rreziqe të menjëhershme për përmbytje.
Sipas DrUK Lezhë, reshjet e shiut në rajon kanë arritur rreth 40 mm. Me gjithë intensitetin e reshjeve, rrjetet e kullimit, argjinaturat dhe Diga Shtoder nuk kanë paraqitur probleme. Nivelet e ujit të Liqenit të Shkodrës, Lumit Buna, Lumit Drin dhe prurjet e Lumit Kir janë të ulëta dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje.
Hidrovoret Vilu dhe Ças po funksionojnë pa probleme, me ekipet në gatishmëri për të siguruar monitorimin e vazhdueshëm. Struktura të Mbrojtjes Civile të Bashkive përkatëse nuk kanë raportuar situata problematike, ndonëse reshjet kanë qenë të forta. Po ashtu, Drejtoria Rajonale e Rrugëve (DRV) në Shkodër ka konfirmuar se deri tani nuk ka pasur probleme në akset rrugore që mbulon.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, nuk janë raportuar ndërprerje të energjisë dhe furnizimi po vijon normalisht.
Puna për pastrimin e rrugëve vazhdon. Në akset kryesore si Lot 1, H.Hoti – Tamare, Tamare – Vermosh, dhe Boge-Theth, janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh, por operacionet e pastrimit janë realizuar dhe rrugët janë të pastruara. Qarkullimi i automjeteve është normal dhe i pandërprerë. Punonjësit dhe makineritë janë në terren dhe po monitorojnë situatën.