Kosova
Shpërthimi në Veri/ Bislimi flet me emra: Krahu i djathtë i Radoiçiç…
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviç, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh.
Bislimi thekson se, megjithëse Serbia distancohet publikisht nga aktet terroriste, ajo vazhdon të lejojë Radoiçiqin të veprojë dhe të planifikojë sulme nga territori serb. Ai përmendi edhe rastin e ngjashëm të sulmit në Banjskë, shtatorin e kaluar, ku një efektiv policie u vra.
Postimi i plotë:
Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun.
Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës.