Aktualitet
Asllan Dogjani merret i pandehur, SPAK: Gënjeu në deklaratën e pasurisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë marrë të pandehur deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani. Ndaj këtij të fundit është ngritur akuza për deklarim të rremë pasurie. Në sqarimin publik që ka publikuar SPAK, deputeti Dogjani ka blerë një apartament në vitin 2006. Po sipas SPAK, Dogjani e ka paguar me 121 mijë euro cash dhe është përpjekur që të fshehë burimin e të ardhurave. Për sqarim, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se më 24 Mars 2010, deputeti deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”. Apartamentin, deputeti tha se e kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar kompanisë. Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe në deklarimin e pasurisë që bëri më 16 Qershor 2023. Por rezultoi se për apartamentin, deputeti ka paguar në “cash” shumën prej 121.980 eurove.
“Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme,”-sqaron SPAK.
SPAK dërgon për gjykim deputetin Asllan Dogjani për deklarim të rremë të pasurisë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 2 dhjetor 2024, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. I pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Deklarimi i rremë për përfitimin e një apartamenti
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash. Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.
Shënim për gazetarët:
Procedimi penal nr.28, dt.08.02.2024
Vepra penale – “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, – neni 257/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Ligjit nr.9049 datë 10.04.2023 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar./