Connect with us

Kosova

SHBA NUK HEQ DORE/ Ivo Stier: Pritet vazhdim i mbështetjes amerikane ndaj Kosovës

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, Davor Ivo Stier, ka thënë se administrata e re e ShBA-së, nuk do ta ketë në fokus Ballkanin Perëndimor.Sipas tij, prioritet i parë i administratës së re do jetë Kina dhe situata në rajonin Indo-Paqësor.

“Ata do ta kenë vëmendjen ne Lindjen e Mesme dhe situatën në Detin e Zi, sidomos në agresionin rus ndaj Ukrainës. Ballkani Perëndimor në këtë moment nuk duket se është prioritet I SHBA”, tha Stier në një intervistë.

Megjithatë ai është i besimit se do të ketë një vazhdimësi në politikën e ShBA-së kundrejt Ballkanit Perëndimor.

“Besoj që Shtetet e Bashkuara, jo vetëm që kanë qenë mbështetëse, por edhe do vazhdojnë të mbesin mbështetëse shumë e madhe e Kosovës së pavarur. Kjo është ajo që unë e kuptova nga takimet me të gjithë bashkëbiseduesit që i kisha në Uashington, javën e kaluar” – theksoi Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian

Ndër të tjera, Ivo Stier tha se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, gjithnjë ka qenë më mirë kur aleatët trans-atlantikë punojnë së bashku.

“BE-ja dhe ShBA-ja, pra Komisioni i ri Evropian dhe administrata në ardhje amerikane, do kenë shumë gjëra të diskutojnë dhe shumë interesa të përbashkëta. Një nga çështjet ku ne mund të jemi të një mendje është që ta mbështesim stabilitetin dhe perspektivën euro-atlantike të Ballkanit. Pres për këtë bashkëpunim. Besoj që njerëzit sikur që është Sekretari i Shtetit Marko Rubio – si dhe Mike Waltz, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, janë njerëz të përkushtuar në Aleancën Trans-Antlantike dhe bashkëpunimi do jetë më i lehtë”, u shpreh kroati Davor Ivo Stier

Advertisement