Aktualitet
Mandati i Holta Zaçajt/ Kushtetuesja shtyn sërish seancën, kryetarja kërkon kohë
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën për mandatin Holta Zaçajt, kryetare e këtij institucioni të drejtësisë. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 23 dhjetor, ndërsa mësohet se shtyrja është bërë pasi Zaçaj ka kërkuar të njihej me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Gjykata konstatoi se gjyqtarja Holta Zaçaj, në datën 16.12.2024, është njohur me praktikën dokumentare të dërguar nga Gjykata e Lartë, ndërsa përpara seancës së ditës së sotme ka depozituar një kërkesë me shkrim, përmes të cilës ka kërkuar dhënien e një kohe të mjaftueshme për të paraqitur opinionin e saj në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë sa i përket parimeve kushtetuese dhe mënyrës së interpretimit të dispozitave kushtetuese të zbatueshme në rastin në shqyrtim.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Gjykata, pasi vlerësoi shkaqet e kësaj kërkese, vendosi që ta pranojë atë, duke i lënë kohë, sipas kërkesës, deri ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 10:00, për paraqitjen e një opinioni me shkrim.
Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Kushtetuesja shtyn vendimin për në lidhje me përfundimin e mandatit të Kryetares Holta Zaçaj. Do të duhen 5 vota të gjyqtarëve, nga 8 që ka në organikë Gjykata Kushtetuese për të përfunduar mandatin e saj. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe për dy mandate të tjera, Elsa Toskës, e cila u dorëhoq nga posti i saj, por edhe për Sonila Bejtjan.
Disa ditë më parë (12 dhjetor) Zaçaj deklaroi kërkesën për ta përfunduar mandatin në Kushtetuese, pasi u përplas me Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se mandati i mbaron në fund të vitit të ardhshëm dhe jo në mars, siç parashikohet në skemën e ripërtëritjes, mbi një datë që edhe vetë ajo kishte firmosur në momentin që aplikoi si kandidate në Kushtetuese.