Connect with us

Kosova

Mes Ramës dhe Kurtit qëndron Hashim Thaçi, UÇK dhe Amerika

Përmes një video-komenti, gazetari dhe analisti Berat Buzhala është shprehur se ekziston një dallim i qartë mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës.

Sipas tij, ky dallim qëndron në faktin se kryeministri Rama qëndron në krah të Hashim Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, si edhe mbështet orientimin perëndimor dhe aleancën strategjike me SHBA. Ndërkaq, Buzhala thotë se Albin Kurti kërkon krejt të kundërtën e kësaj.

Ai tha gjithashtu se nuk beson që vizita e Kryeministrit Rama në Prishtinë është ndihmë për Albin Kurtin përpara zgjedhjeve.

“Një vizitë nuk e bën dallimin, qoftë ajo edhe para zgjedhjeve, qoftë ajo edhe ditën e zgjedhjeve sepse dallimi është i qartë si nata me ditën,” eshte shprehur ai në komentin e tij.

Sipas Buzhalës, ajo çfarë Kurti mendon vërtet në lidhje me vizitën e Ramës, është krejt ndryshe nga ajo çfarë u shfaq në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve dhe se diçka e tillë u pa qartë përmes statuseve të njerëzve pranë Kurtit në Kosovë.

“Ne dëgjuam fjalimin e Edi Ramës dhe fjalimin e Albin Kurtit, që doli në foltore i maskuar sikur Mimoza Kusari. Me fjalë të tjera, në mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit qëndron Hashim Thaçi, qëndron UÇK, qëndron Amerika… Edi dhe Albini janë dy polet e kundërta të politikës shqiptare, kudo ku jetojnë shqiptarë. Edi Rama do lirinë e Thaçit dhe të komandantëve të tjerë që janë në Hagë, kurse Kurti, i maskuar si Mimoza Kusari prej kater vitesh po kërkon argumenta që të mund t’i përdorë në publik dhe të thotë se lirimi i Thaçit është i pamundur.”

Advertisement