Kosova
KURTI NEN HIJEN E ORBAN/ Kryeministri zgjedh arrogancën dhe frikën mbi drejtësinë

“Në Budapest, shumë vite më parë, një politikan i ri dhe ambicioz, emri i të cilit tash dihet – Viktor Orban, u shfaq si shpresa e re e një populli të zhgënjyer nga padrejtësitë dhe korrupsioni. Ai premtoi drejtësi, barazi dhe një epokë të re ku ligji do të ishte mbi të gjitha. Por historia e tij mori një tjetër drejtim: sa më shumë rritej pushteti i tij, aq më shumë rritej mosbesimi ndaj institucioneve që dikur kishte premtuar se do të forconte. Kur drejtësia trokiti në derën e tij, Orban nuk e hapi atë me ndershmëri – ai e mbylli me një rrëfim për komplotin dhe propagandën që, sipas tij, kërkonte të rrëzonte imazhin e tij si lider përmes sistemit të drejtësisë. Kjo histori u shfaq përsëri, këtë herë në Prishtinë. Në një version të ri dhe të përshtatur për një realitet tjetër politik, Albin Kurti, një tjetër lider që dikur fliste për drejtësi dhe transparencë, po ndjek të njëjtën rrugë. Jo më për të ndërtuar besim në institucione, por për të mbjellë frikë dhe mosbesim ndaj tyre” – Keshtu shkruan analisti Baton Haxhiu ne nje shkrim autorial, sipas te cilit kryeministri I Kosoves e shfaq veten si nje lider I pakapshëm nga drejtësia dhe i paprekur nga kritikat.
Gjatë tri intervistave të fundit, mimika e Kurti, herë e ashpër e herë përbuzëse, shoqërohet nga një gjuhë që i nxjerr gazetarët fajtorë për të gjitha paragjykimet që ai ndien se i bëhen. I ngaterruar ne lojëra fjalësh dhe buzëqeshjesh të ftohta akull, pa shije njerëzore, Albin Kurti po ndërton një imazh të rrezikshëm për një kryeministër demokratik – atë të një lideri që, në vend të ndihmojë drejtësinë, po e sfidon atë” – ka theksuar Haxhiu duke shtuar se ironikisht ky kryeministër që dikur fliste për drejtësinë si shtyllën e shoqërisë, tani e sheh atë si një kërcënim ndaj imazhit të tij. Sepse, sipas tij, dera e prokurorisë nuk është më një derë që hapet për të ndihmuar ligjin, por një derë që çon drejt skenës së madhe të fotografëve dhe kamerave.Analisti I njohur shkruan se “në teatrin e krijuar nga Kurti, protagonisti nuk është ligji, por frika e tij. Ai nuk është një dëshmitar – është një viktimë e paragjykimeve që ende nuk kanë ndodhur”.
Baton Haxhiu thote se “Historia na ka treguar shembuj të tillë të shumtë – liderë që në fillim sfidojnë drejtësinë dhe në fund sfidojnë vetë moralin e shoqërisë”, dhe per kete na sjell ndermend rastin e Silvio Berlusconit, i cili vite më parë e ktheu procesin gjyqësor në një cirk mediatik.
“Kur dera e drejtësisë bëhet teatër frike për një kryeministër, atëherë është shoqëria që humb besimin. Sepse drejtësia nuk ekziston për të ndërtuar imazhe – ajo ekziston për të ndërtuar të vërteta. Dhe një lider që nuk e kupton këtë, nuk është asgjë më shumë se një aktor në një shfaqje të rrezikshme politike” – ka potencuar analisti Baton Haxhiu.

