Politike
Me terror e dhunë na morën flamurin e logon, i lini inatet dhe ejani te unë për fitore
Sali Berisha i bëri thirrje të gjithë demokratëve nga qyteti i Beratit, që të lënë mënjanë hatërmbetjet dhe të bashkohen në qëllimin e përbashkët për të shkuar drejt fitores më 11 maj. Nga takimi me demokratët e këtij qyteti, Berisha tha se PD është më e bashkuar se kurrë dhe është në këmbë për të përmbysur, siç tha ai, diktaturën aktuale.
“U përpoqën të na bëjnë copë e cikë, por sot jemi më të bashkuar se kurrë. U përpoqën të na gjunjëzojnë më të gjitha mënyrat, por sot jemi më në këmbë se kurrë. U përpoqën, na e morën flamurin, logon, na hoqën emrin nga lista e votimit, vetëm që të mos ishim, por ja ku jemi. Arrestuan, terror dhe dhunë, por ne ja ku jemi sot. Këto dëshmojnë se ju gra dhe burra fisnik jeni njerëz që të pamundshmet i bëni të mundura. Ne jemi në këmbë sot si parti që bëjmë të pamundurat të mundura. Kjo do të thotë se ne jemi në këmbë si parti që do të përmbysim diktaturën aktuale në Shqipëri. Tani jemi në startin e fuqishëm drejt fitores. Unë ju them ju, se ky është për ne që luftuam diktaturën staliniste, ky është shansi më i madh i jetës tonë, të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po e zbraz vendin. Kjo kërkon jo vetëm bashkimin e të gjitha kontributeve tona në PD nga 90 deri më sot, politika nuk është kurrë arti i inateve personale, i hidhërimeve, por i qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Ndaj dhe këtu nga ky qytet i bekuar ftoj çdo demokrat, të bashkohemi dhe të lëmë mënjanë cdo hatërmbetje. Të kthemi në gjenin tonë të tolerancës”, tha ai.