Politike
Debate brenda PD – Grupi i Bardhit kundërshton sulmin e Berishës ndaj gjyqtares së Kushtetueses
Sulmet e Sali Berishës përmes Adriana Kalasë ndaj gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllarit, duket se kanë ndezur një debat brenda radhëve të PD.
Marash Logu, këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të drejtuar nga Bardhi, ka reaguar me një status në rrjetet e tij sociale, përmes të cilit konsideron si të padrejta sulmet ndaj Xhaferllarit.
Në reagimin në rrejtet e tij sociale shkruan:
“Keqardhja në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me sulmet në vetvete, por burimi nga ato vijnë. Ndërkohë që sulmet nga mazhoranca socialiste dhe satelitët e tyre mediatikë janë të pritshme e të kuptueshme, Partia Demokratike ka për detyrë të vlerësojë qëndrimet e gjyqtarëve kushtetues që i kanë qëndruar me besnikëri Kushtetutës dhe ligjit, duke i rezistuar presioneve të pushtetit ekzekutiv. Mund të kemi shumë kritika për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe personalisht kam pasur jo pak, por nëse ka një gjyqtare që i bën nder asaj trupe është Marsida Xhaferllari.”- thotë ndër të tjera Logu.
Qëndrimi i Logut, që ka marrë pëlqimin në rrjetet sociale nga Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku, pra afërmedsh është miratuar paraprakisht nga ata.
Me gjasë kjo përplasje do të nxisë një tjetër pështjellim brenda radhëve të partisë të Berisha, i cili përballjen me drejtësinë e ka jetike, po ashtu edhe rreshtimin e gjithë mbështetëve të tij në frontin anti-drejtësi.
Reagimi i plotë i Logut:
Sulmi ndaj gjyqtares Marsida Xhaferllari është i padrejtë. Në të gjitha cështjet e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që kam përfaqësuar prej shtatorit 2021 në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i gjyqtares Xhaferllari, së bashku me gjyqtaren Sonila Bejtja, ka qenë tërësisht korrekt dhe profesional. Mund të mos kemi rënë dakord për cdo gjë, por fundja aftësia e avokatit është të vlerësojë profesionalizmin e gjyqtarëve, edhe kur nuk japin vendime vetëm në favor të tij.
Madje, për shkak të korrektësisë dhe profesionalizmit të gjyqtareve Xhaferllari dhe Bejtja, shpeshherë janë etiketuar padrejtësisht si gjyqtaret e opozitës dhe janë cënuar në punën e tyre. I njëjti etiketim dhe sulm nuk është përdorur ndaj atyre gjyqtarëve – lidhje të ngushta familjare apo shoqërore të mazhorancës socialiste – që kanë votuar kundër cdo kërkese të opozitës, pavarësisht cili ka qenë objekti i saj. Edhe sulmi që iu bë pak kohë më parë gjyqtares Bejtja, dhe tanimë gjyqtares Xhaferllari, duket të kenë të njëjtin motivim.
Keqardhja në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me sulmet në vetvete, por burimi nga ato vijnë. Ndërkohë që sulmet nga mazhoranca socialiste dhe satelitët e tyre mediatikë janë të pritshme e të kuptueshme, Partia Demokratike ka për detyrë të vlerësojë qëndrimet e gjyqtarëve kushtetues që i kanë qëndruar me besnikëri Kushtetutës dhe ligjit, duke i rezistuar presioneve të pushtetit ekzekutiv. Mund të kemi shumë kritika për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe personalisht kam pasur jo pak, por nëse ka një gjyqtare që i bën nder asaj trupe është Marsida Xhaferllari.