Connect with us

Politike

‘Kemi dhe Dumanin anëtar të bandës’/ Berisha sulmon SPAK pas mbylljes së dosjes ‘Xibraka’

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi pas deklaratës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme se vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë. Berisha tha nga Pogradeci se SPAK me anë të deklaratës së lëshuar tregoi se është pjesë e dosjes. Kryedemokrati tha se nuk është vetëm Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, pas laboratorit të kokainës në Xibrakë, por edhe Altin Dumani kreu i SPAK.

“Me deklaratën e tij dje, SPAK tregoi se është pjesë e dosjes Xibraka. Kaq mund të them, tregoi se tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës”, tha Berisha.

Ndërsa, për thirrjen e vajzës së tij, Argita Malltezi, në SPAK, Berisha tha se Prokuroria e Posaçme, po përpiqet të mbrojë një gjykatëse të dënuar.

“Sa i takon thirrjes së vajzës sime dje në SPAK, për Irenën me pesë mbiemra, ishte gjëja më normale përpiqen të përdorin postet dhe detyrat për të mbrojtur një gjykatës delinkuente e dënuar. Por krimi i saj më i madh është se e ka fshehur dënimin. Ajo duhet të kishte deklaruar në dokumentet e vetingut se është e dënuar, përkundrazi ata fshehin një krim të gjykatëses, e cila e ka vendin në burg dhe jo në sallën e gjyqit”, u shpreh kryedemokrati.

Argita Malltezi u paraqit më 9 janar në SPAK, ku tha se u thërrit për të dëshmuar në lidhje me çështjen 193 të vitit 2024. Bëhet fjalë për çështjen që ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka i ka kërkuar SPAK më 19 Tetor 2024 që të hetojnë deklaratat e Argita Malltezit, e cila e akuzoi gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të Partisë Socialiste.

Pas daljes nga ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, Malltezi tha se u thirr si person që mund të ketë dijeni, ndërsa shtoi se kjo është një tentativë e SPAK për të larë fytyrën e gjyqtares Irena Gjoka. 

Advertisement