Kronike
Vrasja e Bujar Nasufit, motori i djegur i autorit gjendet te kodrat e Sharrës

Policia e Shtetit ka gjetur një motor të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi. Mjeti është gjetur në zonën e kodrave të Sharrës. Tashmë motori është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku po iu nënshtrohet një ekspertize të thelluar për të zbuluar ndonjë detaj lidhur me autorët.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Biznesmeni u ekzekutua mbrëmë në sy të bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se autori i maskuar dyshohet se e ka pritur përpara banesës, ku dhe është kryer ekzekutimi. Viktima është qëlluar nga një distancë e afërt, ku si pasojë ka marrë dy plumba në gjoks. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat besohet se i përkasin armës me të cilën është vrarë Nasufi. Bujar Nasufi ishte një person pa precedent penalë. Ai ishte biznesmen dhe kishte në zotërim një mobileri. Biznesin e administronte bashkë me të vëllanë, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës ku dhe ndodhi vrasja.

