Politike
‘SPAK “mbron” Olsi Ramën’/ Bardhi përplaset me SPAK pas mbylljes së dosjes Xibraka
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gament Bardhi është drejtuar me një kërkesë zyrtare, SPAK, lidhur me hetimet për çështjen “Xibraka”.
Në kërkesën për informacion drejtuar Prokurorisë së Posaçme, Bardhi thotë se mbyllja e dosjeve penale pa asnjë transparencë, rrit perceptimin se drejtësia ruan të paprekur individë me pushtet të fortë politik.
Bardhi ka kërkuar nga SPAK, një kopje të vendimit të prokurorit për përfundimin e hetimeve dhe pushimin e procedimit penal ndaj shtetasit Ols Rama, dhe një kopje të vendimin gjyqësor respektiv, ku është pranuar kërkesa për përfundimin e hetimeve dhe pushimin e procedimit ndaj Ols Ramës, sipas konkluzionit që nuk ka prova që e lidhin atë me aktivitet kriminal.
Në përfundim të kërkesës për informacion, Gazment Bardhi thekson se përfundimi i hetimeve nënkupton që informacioni i mbledhur dhe provat për arritjen e konkluzioneve nuk mbrohen më nga sekreti hetimor dhe për këtë shkak, nuk ka asnjë pengesë ligjore për të përcjell informacionin si më sipër lidhur me provat e mbledhura, veprimet hetimore të kryera, me qëllim arritjen e këtij konkluzioni.
- Detajet e kërkesës së Bardhit për SPAK
“Gazment Bardhi ka risjellë në vëmendjen e SPAK pretendimin e kryeministrit Edi Rama për krijim të “rrethanave të rreme”, duke shtruar pyetjet nëse: (1) Ka arritur të identifikojë Prokuroria e Posaçme personin e paidentifikuar, të moshës 45 vjeç, përdorues i automjetit me targë AA653DM? Nëse po, kush ishte ky person? Nëse jo, cila është rrethana/prova/e dhena që ka krijuar bindjen e prokurorit se ky person nuk është Ols Rama? A ka qenë raporti i vëzhgimit policor i datës 13.01.2015, ora 15:50, i shoqëruar me fotografi të personit të paidentifikuar? A mund të na vini në dispozicion këtë raport së bashku me pamjet filmike që e shoqërojnë? (2) Ka rezultuar se shtetasi Ols Rama ishte përdorues i automjetit me targë AA653DM apo AA393FJ, që rezultojnë gjithashtu se janë përdorur në të njëjtën periudhë nga anëtarët e një organizate kriminale të dënuar për trafik droge (shtetasit Genti Xhixho, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj)? Nëse po, sa është numri i hyrje-daljeve të tij me këtë automjet? A ka rezultuar se shtetasi Ols Rama kishte njohje, lidhje apo marrëdhënie shoqërore me personat e përfshirë në dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë? Nëse po, me cilët persona kishte lidhje, njohje apo marrëdhënie shtetasi Ols Rama?
Në përfundim të kërkesës për informacion Gazment Bardhi thekson se përfundimi i hetimeve nënkupton që informacioni i mbledhur dhe provat për arritjen e konkluzioneve nuk mbrohen më nga sekreti hetimor dhe për këtë shkak, nuk ka asnjë pengesë ligjore për të përcjellë informacionin si më sipër lidhur me provat e mbledhura, veprimet hetimore të kryera, me qëllim arritjen e këtij konkluzioni. “Sipas ligjit, vendimi i pushimit apo pezullimit të një procedimi, i vihet në dispozicion personave të interesuar, të cilët gëzojnë të drejtën të kërkojnë kontroll gjyqësor mbi punën e prokurorit.” – shkruan Bardhi.
“Transparenca e plotë mbi një çështje që paraqet interes publik, që përfshinë persona që sipas perceptimit të opinionit janë të paprekshëm për shkak të fuqisë politike të tyre apo të afërmëve të tyre, vlerësojmë se kontribuon në besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë. Mungesa e informacionit, shmangia e transparencës dhe mbyllja e dosjeve penale pa asnjë transparencë, rrit edhe më shumë perceptimin se drejtësia vijon të ruaj të paprekur individë që gëzojnë pushtet të fortë politik.” – përfundon letrën e tij drejtuar SPAK kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.