Connect with us

Politike

Meta kërkon lirinë/ Gjokutaj rekurs në Gjykatën e Lartë: Jemi në prag të fushatës

Avokati Genc Gjokutaj ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin për të revokuar masën e arrest me burg që është caktuar ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjokutaj tha se masa arrest me burg duhet revokuar, pasi Meta është kreu i PL-së dhe jemi në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

“Kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën arrest në burg për zotin Meta. Kemi paraqitur të gjitha argumentet që nga ndalimi kriminal, pastaj për secilin episod, si lobimin në SHBA, për të cilin Meta ka dhënë shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është i sqaruar procesi për Lobi, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë që e ka bërë atë, pastaj edhe për CEZ-DIA, çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin. Duke mos pasur dyshim të arsyeshëm dhe as prova mbi këto 3 episode, i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës arrest me burg. E kemi bërë prezent këtë cilësi të tij, dhe kjo që thatë ju është një praktikë e shtuar, i referuar jurisprudencës së Strasburgut që ka një praktikë të uiniformizuar dhe në lidhje me subjekte të tilla, si Berisha e Meta. Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 viteve që kanë pasur aktet nëpër duar që në kohën e gjykatës së krimeve të rënda, është paraqitur disa herë në Gjykatë dhe ka dhënë shpjegime. Meta edhe herën e fundit ka dhënë shpjegime. E kemi ngritur këtë argument”, tha Gjokutaj.

Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e Policisë që i vunë prangat. Për eksponetët të Partisë së Lirisë, dhuna e Policisë ishte e pajustifikueshme, ndërsa për Policinë e Shtetit ishte e nevojshme pasi hasën në rezistencë nga Meta në momentin kur i komunikuan urdhër-arrestin e prerë nga GJKKO.

Kështu, Meta është vendosur në pranga që prej tetorit. Si Meta, edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut “313” në Tiranë. Edhe pse kishte mundësinë që të transferohej në burgun e Fierit, ku ka masa më të buta sigurie, Meta zgjodhi që të qëndronte në Tiranë për të pasur mundësinë që të takohej me familjarët dhe eksponentë të Partisë së Lirisë.

Advertisement