Kosova
AMANETET E CHRISTOPHER/ Ambasadori në fluturim drejt SHBA, jep porositë e fundit
Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është “absolutisht thelbësor” në procesin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për televizionin serb, “Kurir”, diplomati amerikan ka potencuar se edhe BE-ja ka qëndrimin e njëjtë në këtë aspekt.
Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia shume shpejt do të hyjnë në një periudhë diplomacie shumë dinamike në kuadër të dialogut të Brukselit.
Në pyetjen se kur pritet të formohet Asociacioni, Hill nuk ka pasur përgjigje konkrete, përveç se ka potencuar se SHBA-të do të vazhdojnë të angazhohen për këtë çështje.
Persa i përket pozitës së serbëve në Kosovë, ai ka thënë se do të preferonte të fliste për atë për çka Serbia duhet të angazhohet në emër të serbëve në Kosovë.
“Populli serb në Kosovë duhet të ketë një vizion të qartë për të ardhmen. Ata duhet të dinë se pensionistët që janë në sistemin pensional serb do të mund të marrin pensionet e tyre, të dinë se në cilat spitale mund të shkojnë, në cilat shkolla mund të shkojnë fëmijët e tyre… Të gjitha këto çështje përfshihen në Asociacionin”, ka theksuar ambasadori amerikan.