Politike
Arian Çani: Edi Rama është një rast për t’u studiuar. Ata që mendojnë se do lodhet dhe largohet, ja fusin kot
Arian Çani ka folur për kryeministrin Edi Rama dhe disa nga cilësitë që e veçojnë atë nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri.
Çani ka theksuar se Edi Rama ka pasur një dëshirë të jashtëzakonshme për pushtet që nga vitet e rinisë së tij, duke e krahasuar atë me Sali Berishën dhe politikanët e tjerë.
Sipas Çanit, Edi Rama ka qenë gjithmonë një figurë që ka dashur të dallohet dhe të jetë ndryshe nga të tjerët.
Ai tregon se suksesi i Ramës është i lidhur ngushtësisht me karakterin e tij. Çani vlerëson ambicien e madhe të kryeministrit dhe thotë se kjo është ajo që e ka bërë të ndryshe nga politikanët e tjerë.
“Personi që mori pushtetin në vitin 2013, Edi Rama e do dhe e ka dashur pushtetin më shumë se të gjithë aktorët e tjerë politikë.
Pushtetin ky e ka dashur që në vitet e hershme të rinisë së tij. Që në vitin 1991, kur bëri takimin me Sali Berishën.
Mbaj mend që në rrethin tonë të gazetarëve e diskutonim shpeshherë se çfarë është ky lloj njeriu, ka një tip shumë të veçantë.
Ai gjithmonë ka dashur të shquhet, të dallohet, të mos ishte si të tjerët. Sigurisht, suksesi i tij vjen edhe nga karakteri që ka, ai arrin të bëjë diçka që të gjithë e duam, por jo të gjithë mund ta bëjnë dot. Edi Rama është super i zoti. Rama ka një ambicie të tejskajshme.
Edhe Sali Berisha e do shumë pushtetin, por nuk ishte i zoti që ta zgjaste aq shumë sa Edi Rama. Kjo e ndryshon Edi Ramën nga gjithë të tjerët.
Di ta mbajë dhe ta zgjatë pushtetin. Të gjithë ata që mendojnë se ky njeri një ditë do të lodhet dhe do të largohet, më vjen keq, por ja fusin kot.
Nuk lodhet, sepse politika është i vetmi ushqim për Edi Ramën. Edi Rama është mirë kur është keq. Sa herë që situata është e qetë, Rama krijon një krizë. Edi Rama është një rast për t’u studiuar”- tha Arian Çani.