Connect with us

Kronike

Vrasja e Kristian Markut/ Cenaj: Makinën e bleva pa letra, nuk mbaj mend se kujt ia shita

Një numër shasie që nuk ishte fshirë në pjesën e motorit të makinës që u përdor në atentatin ndaj Kristian Markut ishte gjurma që çoi policinë në gjurmimin e mjetit dhe arrestimin e një 36-vjeçari me akuza për lidhje me krimin e shënuar më 13 janar në Vlorë.

Ekzekutorët e 30-vjeçarit nga Mirdita , sipas të dhënave nga hetimi ishin kujdesur të fshinin numrin e shasisë së makinës, por kishin lënë të njëjtin numër të stampuar në motorin e mjetit, plotësisht të djegur në zonën e kripores në Vlorë, disa minuta pas ngjarjes.

Mbi këtë të dhënë, hetuesit zbuluan se makina ka hyrë në Shqipëri në vitin 2022 përmes doganës së Morinës nga një shtetas nga Kosova.

Ky i fundit i marrë në pyetje ka pranuar se makina ishte e tij, por ka pretenduar se e ka shitur pa asnjë deklaratë noteriale, një personi në Kukës, shtetasit Erald Cenaj.

Menjëherë policia kriminale ka lokalizuar dhe ndaluar Erald Cenajn duke e marrë në pyetje 36-vjeçarin dhe ballafaquar me shitësin kosovar.

Erald Cenaj ka pranuar se e kishte blerë makinën, por njëherësh u ka treguar punonjësve të policisë se mjetin “Golf 5” ai ja kishte shitur një personi tjetër në Shqipëri, sërish pa asnjë dokument.

Gjatë dëshmisë së tij, Cenaj është justifikuar se nuk e kujtonte blerësin e makinës dhe shumën financiare që e kishte shitur makinën.

Ky qëndrim ka sjellë arrestimin e tij nga policia e Vlorës, për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”.

Për momentin Erald Cenaj është personi i vetëm i arrestuar në lidhje me atentatin e stilit mafioz ndaj 30-vjeçarit Kristjan Marku.

I riu po udhëtonte në aksin Vlorë-Fier  me një makinë me qira në Tiranë, ç’ka sugjeron se lëvizjet e tij ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autorët.

Pistë kryesore  mbetet ajo e hakmarrjes dhe përplasja mes fiseve Bardhi e Reçi në Mirditë. Përplasje e nisur që me ngjarjen e 26 Marsit të vitit 2023, ku u qëllua me armë zjarri drejt Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit, i vrarë në Janar 2020 me snajper në qendër të Rrëshenit. Në shtator të vitit 2023, Kristian Markut i vranë edhe xhaxhain, Martin Bardhi./Ora News

Advertisement