Aktualitet
Përsëritet historia/ Do të kthehen në Itali 4 nga 49 refugjatët e ardhur sot në Shëngjin
Do të kthehen sërish në Itali mbrëmjen e sotme 4 nga 49 refugjatët që mbërritën mëngjesin e sotëm në qendrën e pritjes në Shëngjin.
Lajmi raportohet nga media italiane ANSA, teksa tre prej refugjatëve që do të kthehen në Itali janë minorenë, ndërsa një tjetër është i rritur vulnerabël.
Ata mbërritën mëngjesin e sotëm në Shqipëri së bashku me 45 refugjatë të tjerë me anijen ushtarake italiane “Cassiopea”.
Refugjatët e ardhur sot në Shëngjin janë me kombësi nga Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildishtë dhe Gambia, teksa pasi i janë nështruar procedurave të para për azil, ata do të dërgohen në kampin e Gjadërit.]
Qendra pritëse në portin e Shëngjinit së bashku me kampin në Gjadër iu dhanë Italisë nga qeveria shqiptare pas një protokolli të nënshkruar mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit në vjeshtë të vitit 2023. Marrëveshja është kundërshtuar nga opozitat në Itali dhe Shqipëri, si dhe një mori organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Me herët, dy grupe më të vogla refugjatësh të sjellë në Shëngjin në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, u kthyen menjëherë pas në Itali pas vendimeve të gjykatave që rrëzuan pretendimin e qeverisë italiane se vinin nga vende të sigurta.
Qeveria italiane ndërmori më pas ndryshime ligjore për të mundësuar funksionimin e qendrave në Shqipëri.