Kronike
Vdekja e 12-vjeçarit/ Nëna e të miturit ngre padi ndaj mjekëve për neglizhencë
Mësohet se familjarët e 12-vjeçarit që ndërroi jetë më 8 janar, kanë ngritur kallëzim penal ndaj mjekëve të spitalit të Korçës dhe ndaj atyre të QSUT. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe mos trajtim siç duhet të 12-vjeçarit, gjë që shkaktoi vdekjen e të miturit.
Më tej, nëna e viktimës, Roveta Sadiku nënvizoi se ajo nuk e ka dhunuar mjeken që ka trajtuar djalin e saj. Sadiku tha se kur e ka parë mjeken ka humbur ndjenjat dhe në ato momente ka pasur dëshmitarë se ajo nuk është përplasur fizikisht me mjeken.
“Jam përballur me mjeken në QSUT, teksa kishim mbesën në spital. Kur e kam parë më janë errur sytë, dhe më është rikthyer e gjitha çfarë kishte ndodhur. I kam thënë se pse ma vrau djalin dhe i jam afruar. Aty me ka rënë të fikët. Ka pasur dëshmitar që nuk e kam dhunuar atë mjeke. Unë këtë çështje ia kam lënë drejtësisë dhe pres që për djalin tim 12-vjeçar, të bëhet drejtësi”, u shpreh ajo.
Ditën e sotme, Policia e Tiranës bëri me dije se ka nisur hetimet për Roveta Sadiku, pasi akuzohet se ka dhunuar mjeken në spitalin e Pediatrisë. 44-vjeçarja është denoncuar në policia nga mjekja pediatre me iniciale J. B., e cila ka akuzuar nënë e të miturit se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në ambientet e spitalit të Pediatrisë. Sipas kallëzimit të ngritur, Sadiku ka ushtruar dhunë ndaj mjekes me pretendimin se ka neglizhuar mjekimin e djalit të saj 12-vjeçar, i cili ndërroi jetë më 8 Janar në Pediatri.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, për shtetasen R. S., 44 vjeçe, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, pasi ka kallëzuar shtetasja J. B., mjeke në Spitalin Pediatrik, se 44-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, në ambientet e këtij spitali, me pretendimin se ajo ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar të shtetases R. S., i cili ka humbur jetën më datë 08.01.2025, në këtë spital.
Nëna e tij, Roveta Sadiku ka akuzuar spitalin e Korçës dhe Pediatrinë e QSUT për neglizhencë të tij. Ajo tha se atij nuk i kanë bërë eko zemre dhe e gënjyen duke i thënë se ka virozë. Sipas saj, mjekët kanë qenë neglizhentë pasi e kishin shtruar në pavionin e “COVID”, kur duhet që të ndiqej në reaminacion. E ëma e viktimes ka kërkuar drejtësi për të birin dhe se nëse nuk merren masa ajo paralajmëron protestë.
I mituri nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit pasi ishte ndjerë keq, ishte dërguar për t’u trajtuar pranë spitalit rajonal të Korçës, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, e sollën në Tiranë. Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut.