Kronike
Vrasja e Lulzim Vishës/ Makina e autorëve “nuk ndihmon” hetuesit, asnjë gjurmë të autorëve
Makina e përdorur nga autorët për vrasjen e Lulzim Vishës është vjedhur në Elbasan. ‘Porsche’, e tëra e shkrumbuar, është nxjerrë sot me karrotrec nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, atje ku iu nënshtrua një ekzaminimi shkencor nga grupi hetimor. Por nga të dhënat e deritanishme, mësohet se nuk kanë gjetur asnjë detaj që mund t’i lidhë me autorët e dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit.
E vetmja gjë që është zbuluar është se mjeti, rezulton i vjedhur pak kohë më parë në Elbasan dhe për grabitjen e mjetit është bërë një denoncim. Por deri më tani, Policia nuk ka mundur që të identifikojë se cili është personi që ka grabitur mjetin, për të zbuluar më pas blerësin që mund t’i çojë tek autorët e vrasjes.
I vetmi detaj që bën lidhjen deri më tani mes autorëve dhe ngjarjes është arma e gjetur në banesën e Eduart dhe Ervis Lamit, e cila është shumë e ngjashme me atë që u gjet e djegur brenda makinës. Megjithatë, grupi hetimor po punon për të krahasuar gëzhojat e armës së djegur me ato të armës së sekuestruar gjatë kontrolleve në Kamëz.
Aktualisht, Ervis Lami është në kërkim nga Policia, ndërkohë në pranga ka rënë më herët kushëriri i tij Eduart Lami. Ky i fundit ndodhet në qeli pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje. Gjatë marrjes në pyetje ai është shprehur se nuk ka probleme me familjen Visha.
Pavarësisht pretendimeve të tij, dyshohet se viktima ka pasur përplasje që kanë qenë edhe fizike me familjen e Ervis Lamit, për shkak të problemeve të pronësisë.
Lulzim Visha u gjet pa shenja jete brenda automjetit në në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Autorët dyshohet se e nxorën në pritë dhe e qëlluan me pistoletë me silenciator. 48-vjeçari ishte brenda makinës së punës në momentin që u qëllua me armë. Ai punonte si postier në ‘Postman’.