Connect with us

Shkrime

Vuçiç sakrifikoi kryeministrin, që të fitojë kohë/ New York Times për protestat në Serbi

“Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, “sakrifikoi” kryeministrin e tij Millosh Vucevic në përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytete të shumta në Serbi, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij dhjetëvjeçar” – keshtu ka shkruar prestigjozja New York Times.

Vuçiç, i njohur për aftësinë e tij për të manovruar në një skenë politike  thellësisht te polarizuar dhe si balancues midis Rusisë dhe Perëndimit, ka një histori të gjatë të eleminimit të aleatëve të tij – të paktën përkohësisht – dhe të nxjerrjes jashtë loje të partive opozitare. Kundërshtarët e tij kanë pasur vështirësi ta sfidojnë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat e drejtuara nga studentët.

Nuk është ende e qartë nëse dorëheqja e kryeministrit do t’i shuajë protestat apo do t’i intensifikojë ato më tej. Këto protesta u nxitën nga zemërimi publik pas vdekjes së 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor.

“Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë përmbushur, përfshirë ndjekjen penale të përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe ministrin e Tregtisë”-  shkruan New York Times duke shtuar se megjithate, ndërsa protestat u zgjeruan, politikanët opozitarë filluan të kërkojnë që Vuçiç të formojë një “qeveri kalimtare”.

“Vuçiç po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të shuhen”, tha analisti politik Dragomir Anđelković, i cili mbështet studentët. Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit është vetëm një “përpjekje për një mashtrim të ri”, raporton New York Times.

Institucioni i Presidentit të Serbisë dikur ishte një post kryesisht ceremonial, por që kur Vuçiç e mori atë pas zgjedhjeve të vitit 2017 – pasi më parë shërbeu si kryeministër – ai është bërë qendra dominuese e pushtetit në Serbi dhe objektivi kryesor i zemërimit të opozitës.

Advertisement