Politike
PD bashkohet me PL e Metës/ Blushi: Më 11 maj Edi Rama nuk do jetë më Kryeministër
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se kauzat e përbashkëta e bëjnë bashkëpunimin me Partinë Demokratike edhe më të fuqishëm.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që opozita të bëhet bashkë e të jetë e vendosur që të bëjë gjithçka mundet që “në 12 maj Edi Rama të mos jetë më kryeministër”.
“Vendimi që kemi marrë ne është të jemi në opozitë me Edi Ramën dhe të bëjmë gjithçka mundemi që më 11 maj Edi Rama të marrë përgjigjen që ai meriton. Partia e Lirisë, është një parti që ka identitetin e saj. Ka një program të shkëlqyer me 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus.
Jemi në bashkëpunim me Partinë Demokratike, por e theksoj që e rëndësishme për ne është që në 11 maj Edi Rama të largohet nga pushteti. Bashkëpunimi është i shkëlqyer por nuk besoj që një aspekt teknik është i rëndësishëm përballë kauzës së përbashkët që ne kemi. Kjo kauzë meriton të mbështetet nga të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriot që më shumë se kushdo tjetër vuajnë pasojat e keqqeverisjes së Edi Ramës”,-tha Tedi Blushi.