Politike
Konventa e Mundësisë/ Agron Shehaj ofron më pak shtet, më tepër liri dhe shumë shumë para
Është mbajtur të dielën në Breshia të Italisë konventa e Partisë Mundësia. Në fjalën e mbajtur para mbështetësve të vet kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj tha se klasa politike në 30 vjet ka dështuar, “sepse vodhën, sepse abuzuan, sepse shitën Shqipërinë për interesa personale”.
Teksa nënvijëzoi se Mundësia është një parti e djathtë që beson te liria e qytetarëve përballë shtetit, Shehaj theksoi se shteti është pengesa dhe jo zgjidhja ndaj duhet një qeveri e vogël dhe efikase.
“Qeveritë kanë qenë fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë në këto 30 vjet. Ne besojme se qeveria eshte problemi i Shqiperise. Ne duam ti heqim shqiptareve shtetin nga kurrizi. Ne duam qe shteti te jete ne krah te atyre qe punojne, qe perpiqen, qe mundohen t’ia dalin vete. Ne duam një qeveri më të vogël dhe më efikase. Ne nuk besojmë në një qeveri që kontrollon gjithçka, qe vendos kush duhet t’ia dali dhe kush nuk duhet t’ia dali. Nuk besojmë në një shtet që ndëshkon qytetarët dhe shpërblen miqtë e pushtetit. Nuk besojmë që Shqipëria duhet të jetë një vend ku njerëzit shohin vetëm një alternative, emigrimin. Më pak pushtet për qeverine dhe më shumë liri për qytetaret”, theksoi Shehaj.
Ai shtoi se zgjidhja e situatës kalon përmes rritjes ekonomike. “Më pak shtet, më tepër liri dhe më shumë para”, deklaroi Shehaj.
“Zgjidhja kalon nëpërmjet rritjes ekonomike: më pak shtet, më shumë liri, më shumë para. Ja çfarë do të bëjmë: Një qeveri të pakorruptuar, më të vogël, më të thjeshtë, më efikase! Më pak burokraci! Më pak zyrtarë të panevojshëm dhe të korruptuar. Kushdo që kapet me dorën në thes, do të përfundojë aty ku e ka vendin: para drejtësisë, jo në Parlament! Politika nuk mund të jetë vendi ku pasurohen banditët! Do hapim tregun, do të ketë më shumë mundësi për biznesin dhe për ju! Do ta çlirojmë ekonominë nga pushtetarët dhe ortakët e tyre oligarkë. Shqipëria do të bëhet parajsa e sipërmarrësve, jo vendi ku biznesi shkatërrohet nga politikanët e korruptuar! Do luftojmë dhe do zhdukim monopolet”, tha mes të tjerash Shehaj.