Politike
Sonila Meço revoltohet me të rinjtë socialistë: O idiotë, delirantë mercenarë, mediokër
Sonila Meço është revoltuar me të rinjtë socialistë, pasi ka dëgjuar fjalimet e tyre përballë kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, ata janë idiotë dhe servilë.
“Nuk është as personale e as çështje bindjesh të të pataksë mënyra se si disa të rinj të këtij vendi të shpopulluar i aviten politikës, sidomos asaj, që konsumon më shumë pushtet.
Nuk më shqetësojnë fjalimet publike, se mes tyre kishte edhe ndonjë syresh të tretshëm, por më trishton fakti i zgjedhjes për të hyrë në politikë nga dera më e dërrmuar, më e diskretituar, më e dëmshme dhe e rrezikshme me ndërgjegje të plotë, pa e sfiduar kurrë as dyshimin e as nevojën për servilosje. Se për rebelimin ngjajnë shumë të moshuar”, shkruan Sonila.
“Ajo, që të bën të gajasesh se nuk qan dot është fakti se po përdoren kaq pa rebelim e kundërshti duke menduar se jo vetëm po mahnisin gjindjen, por arritën në shtegun më të afërt të kulmit të karrierës. Ndonjë i ri aty beson verbërisht se hyn në listën e sigurt të kandidatëve për deputet. Ndonjë tjetër pas fjalimit i ka çuar me siguri entuziast dhe në delir sms prindërve: “Urojeni zv. Ministrin e ri të Arsimit dhe Sporteve!”
Si mund t’u besosh atyre të rinjve se do bëjnë ndryshimin me fjalime patetike, kur karshi kishin njeriun-parti, njeriun-shtet, të gjithëpushtetshmin, që listën e deputetëve të qarkut ku bën pjesë vetë e ka në shumicën më të madhe në burg”, vijon ajo.
“I duhesh ti sa për kronikën e radhës në mediat, që ka kapur për të krijuar armatën e servilëve, të mpirëve, të shantazhueshmëve, të frikësuarve në sulltanatin e vet. Sepse ai është gjenerali i ushtrisë së idiotëve të dobishëm, delirantëve mercenarë, mediokërve pa shpirt dhe servilave pa shtyllë kurrizore, që megjithëse e dinë se konkurenca për lëpirje është shumë herë më e lartë se ajo për dinjitet, e kanë më të thjeshtë të nënshtrohen se të rezistojnë.
E kështu mediokri zgjedh mediokrin, servili servilin, derisa i fundit i idiotëve të dobishëm të zgjedhë pashmangshmërisht një të mençur…nga ata që duan e dinë ta bëjnë këtë vend. Por gjer atëherë ju kanë ikur vitet më të bukura të jetës. A ia vlen me çdo çmim nënshtrimi”, përfundon revoltën e saj, Sonila, e cila vetë reflekton dinjitet dhe karakter në gjithë karrierën e saj, që nga koha kur punonte për një mashtrues si Beketi, e deri tani, që punon në një television, që financohet nga lekët e korrupsionit të qeverisjes së Berishës.