Aktualitet
Detaje nga zjarri tek QSUT, pacientja i vuri flakën dyshekut në bodrum
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një zjarr ka rënë në pavijonin e Shërbimit të Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Sipas “Top Channel” dyshohet se shkaktare e zjarrit ka qenë një paciente që ka qenë e shtruar më herët në këtë pavijon, por tani merr vetëm shërbim ambulator.
Pacientja ka zbritur në katin -1 dhe ka djegur dyshekun e një krevati që ishte jashtë funskionit. Dysheku përshkak të përbërjes së tij ka shkaktuar tym në pavijon, duke përhapur panik në QSUT, ndërsa raportohet se janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Për këtë incident QSUT, lëshoi një deklaratë zyrtare ku tha se ka pasur vetëm tym në bodrum, por ekipi specialist dhe stafi mjekësor ndërhynë menjëherë dhe puna vijoi pa asnjë problem.
Nga ana tjetër, Policia raportoi se në pavijonin e Shërbimit të Psikologjisë ka pasur prani zjarri dhe flakët janë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, pa përmendur në fakt rastin e mësipërm se janë shkaktuar nga një paciente.