Connect with us

Politike

SPAK kërkon gjykimin për herë të dytë të Jorgo Goros

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në gjyq ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, dhe dy ish-drejtorët e tjerë të bashkisë. Të gjithë akuzohen për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Kjo është hera e dytë që çështja e Goros përfundon në gjyq! Në shtator të vitit të kaluar, ai u dërgua për gjykim si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet për Artan Gaçin, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka i shpallur investitor strategjik. Në këtë hetim të dytë, Goro akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në cilësinë e kreut të Bashkisë së Himarës lidhur me procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore në dëm të disa banorëve të Himarës.

Të akuzuarit janë:

Jorgo Goro, ish-kryetar i Bashkisë Himarë, i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim

Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë Himarë, i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim

Jerasimo Bashi, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashkinë Himarë, i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim

Referuar dosjes së SPAK, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë shpërdoruar detyrën dy herë, lidhur me tjetërsimin e pronave, sikundër ka fshehur pasuritë e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.

Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht, Goro dhe Bashi janë në “arrest me burg”; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim.

Advertisement