Politike
Emigrantët në Shqipëri/ Media: Marrëveshja do të ndryshohet, plani i qeverisë italiane për t’i kaluar kompetencat Tiranës

Rikthimi i menjëhershëm i funksionimit të qendrave shqiptare në Gjader dhe Shëngjin, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian të parashikuar për 25 shkurt. Madje, si zgjidhje ekstreme, qeveria italiane po shqyrton mundësinë e heqjes së juridiksionit italian mbi këto struktura, të cilat janë në bazë të traktatit të nënshkruar me Tiranën.
Ky është qëllimi i ekzekutivit italian, i cili ka vendosur të ndryshojë marrëveshjen me Shqipërinë dhe madje mund ta bëjë këtë me dekret, shkruan sot Corriere della Sera.
Pas tre vendimeve negative nga gjykatat e Imigracionit dhe Gjykata e Apelit mbi mbajtjen e migrantëve, qeveria po kërkon një rrugë për të përjashtuar kompetencën e magjistratëve italianë në menaxhimin e refugjatëve që duhet të riatdhesohen. Aktualisht po shqyrtohen disa hipoteza për rifillimin e transferimeve të migrantëve, por këtë herë me një qasje më të gjerë, që nuk përfshin vetëm ata të shpëtuar në det dhe që vijnë nga vende të listuara si të sigurta nga Italia, por edhe ata që ndodhen tashmë në qendrat e pritjes në territorin italian.
Kjo çështje u diskutua në një takim të premten e kaluar, gjatë të cilit u hodh si mundësi që qendrat shqiptare të shndërrohen në qendra për riatdhesimin e refugjatëve që nuk plotësojnë kriteret për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia, ose në qendra pritjeje. Nuk përjashtohet as mundësia që këto struktura të menaxhohen nga Tirana dhe jo më nga Roma.

