Politike
Njerëzit e Trump më thanë se non grata do hiqej që në janar, por jemi në shkurt dhe po vonon

Genc Pollo ka dhënë një intervistë, pasi në dhjetor kishte paralajmëruar heqjen e Non grata-s së Sali Berishës.
Ju thatë në dhjetor se Berishës mund t’i hiqej non grata. A ka sinjale konkrete se kjo mund të ndodhë?
Në dhjetor ju citova personalitete afër ekipit Trump që më thanë në konferencë se rishikimi i “përcaktimeve mos-hyrje në ShBA” ishte shumë i mundshëm. Por kjo bisedë ndodhi në nëntor dy javë mbas fitores së Trumpit. Në shkurt përcaktimi anti Berisha për amerikanët duket se është rrëzuar moralisht e praktikisht. Pse e them këtë? Para tre vjetësh në Tiranë Richard Grenell, i afërt me Trumpin ish president por asokohe qytetar privat amerikan tha se nuk kishte parë prova që justifikonin “përcaktimin” anti Berisha të Sekretarit të Shtetit Blinken sa ishte drejtor i agjencisë së zbulimit por edhe se evitoi takimin me Berishën në përputhje me rregullat shtetërore amerikane.
Në shkurt 2025, Chris LaCivita, gjithashtu i afërt me Trumpin president dhe qytetar privat amerikan. Jo vetëm takoi Berishën, por firmosi kontratë me të dhe denoncoi “përcaktimin” e Blinkenit si veprim të turpshëm të segmenteve të kapura e të korruptuara në administratën Biden. Ju e shihni kontrastin në sjelljen e këtyre të dyve. Shkresa e Blinkenit de facto nuk konsiderohet më. Ndryshimin e bëri fitorja e Trumpit, që po sjell një erë lirie dhe drejtësie.
Berisha thotë se JD Vance në Mynih i referohej atij kur foli për burgosjen e liderit të opozitës.
Fjalimi i zv.presidentit JD Vance është një manifest i veçantë për demokracinë në Europë dhe liritë njerëzore. Meriton një shënim më vete. Ai bazohej në informacion të detajuar mbi ngjarjet e trendet në kontinentin tonë. P.sh. për Rumaninë e cila e shikuar nga Amerika është po aq sa Shqipëria. Në Evropë ka patur e ka disa procese gjyqësore të çuditshme kundër politikanëve të djathtë e opozitarë. Por i vetmi lider opozite që u burgos, me sa di unë është Berisha. Prandaj mund të thuhet me vërtetësi se JD Vance ju referua rastit Berisha tek qortonte erozionin e demokracisë. Ishte indirekt edhe një kritikë për ata liderë e politikanë evropianë që heshtin para këtij erozioni të demokracisë.
Një pyetje personale? Meqë zgjedhjet parlamentare mbahen mbas tre muajsh a po pregatiteni të kandidoni për deputet?
Jo, nuk kam ndërmend të kandidoj.
Vërtet? Pse kështu?
Po vërtet; kështu e kam ndarë mendjen që para katër vjetësh dhe ja kam thënë kujtdo që më ka pyetur. Jam zgjedhur në Kuvend për herë të parë në vitin e largët 1996; që atëhere deri në v2021 deputet bëhen 25 vjet. Nuk është e thënë të vazhdoj me të njëjtën gjë. Njeriu mund të bëj edhe gjëra të tjera interesante në jetë.
Si përshembull?
Projekte të ndryshme, më shumë lexime e shkrime; aktivitete me Paneuropën Shqipëri, një shoqatë që e kryesoj prej vitesh.
Po me PD?
Jam anëtar aktiv i seksionit të lagjes me znj. Rina kryetare; jam edhe në forume qëndrore por që nuk mblidhen dhe aq shpesh. Pastaj herë pas here dal në TV ku jap mendimet e mia për çështjet publike e që jo rrallë përputhen grosso modo me PD.

