Politike
Dosja Partizani/ Berisha rekurs në Gjykatën e Lartë për masën detyrim paraqitje

– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë këtë të mërkurë rekurs në Gjykatën e Lartë për masën detyrim paraqitje. Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye përse të rrijë në këtë masë sigurie.
Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.

