Politike
Erion Veliaj: Arrestimi im, përpjekje për të goditur PS, Rama, i vetmi që garanton që drejtësia të ketë ‘peshore’

Arrestimin, Kryebashkiaku Veliaj jo vetëm që e cilëson si hakmarrje personale të prokurorit Ols Dado, por edhe si një goditje të qartë elektorale të SPAK ndaj partisë së tij e cila më 11 maj u kërkon qytetarëve mandatin e katërt qeverisës.
Megjithatë sulmi që i bën publikisht SPAK dhe retorika e ashpër ndaj drejtësisë së re vetëm pasi u arrestua, thotë se nuk e bashkon aspak me kundërshtarët e tij politikë, Sali Berishën dhe Ilir Metën, në burg për korrupsion.
“Jam larg Saliut dhe Metës sa temjani nga djalli. As kam pasur blloqe për të vrarë 4 vetë me plumba në mish në 21 Janar, as kam pasur djalë të pjekë të gjallë 26 vetë në Gërdec. Tani duhet parë si penetruan në majën e drejtësisë juristë me 5-a, me licencë noteri nga babi, e emërim si prokuror nga e shoqa. Ky është një abuzim me besimin që Partia Socialiste i dha sistemit”, vijon Veliaj.
Me Kryeministrin Rama, që arrestimin e tij e ka cilësuar të panevojshëm e pa gjyq, thotë se nuk ka patur komunikim gjatë këtyre 25 ditëve në qeli, i bindur se është i vetmi që mund të sigurojë jo vetëm drejtësi të fortë, por edhe të drejtë.
“Edi Rama është Kryeministri im, Kryetari im i partisë dhe një mik i rrallë e mentor i çmuar prej 20 vitesh. Nuk kam nevojë t’i çoj pusulla, se shokët e idealit nuk kanë nevojë të koordinohen për vlerat ku besojnë.
Unë besoj tek Edi si Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, si i vetmi që mund të ngrejë flamurin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe si i vetmi që mund të sigurojë që drejtësia e re dhe e pavarur të ketë jo vetëm shpatë, por edhe peshore”, thekson Veliaj.
Takimet e komunikimet thotë se prokurori Dado ia ka ndaluar, përveçse me bashkëshorten e tij, ndërsa për djalin thotë se nuk ka gjetur ende guximin ta shohë.
“Jo, nuk e kam takuar djalin. Nuk ia shpjegoj dot pa lot në sy e ngashërim se ky vend ende i mallkon ata që punojnë, rrëzon ata që ndërtojnë, pengon ata që përpiqen, lufton atë që ndihmon çdo njeri në nevojë! Nuk i mbaj dot lotët kur më kujtoni djalin, po e le me kaq.
Ajola është lejuar dy herë. Të tjerët asnjë! As drejtuesit fetarë, as kolegët, as miqtë! Shpresoj që Olsi të ndihet burrë i madh dhe trim me këto izolime banale“, shprehet Kryebashkiaku.
Më 11 mars Erion Veliaj do të kërkojë në Gjykatën e Posaçme të Apelit lirinë, pasi ka ankimuar masën arrest me burg të firmosur nga gjytari Erion Bani. Provat se ai nuk i shmanget drejtësisë e nuk e zgjedh rrugën e arratisjes thotë se tashmë i ka dhënë, me rikthimin nga Gjermania e SHBA-ja gjatë muajit dhjetor.

