Kosova
KOSOVA OUT/ Konfirmohet heqja nga agjenda e Komitetit Politik të KiE-së

Kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës, konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së.
Ariana Musliu Shoshi – pjesë e delegacionit të Kosovës – tha se, me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Pablo Hispan, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, gje te cilen ajo e cilësoi si “një zhvillim i papritur”.
“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizimin e organeve shteterore, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare” – ka shkruar Shoshi në Facebook.
Më herët, për një gjë të tillë raportoi edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç.
Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, ajo tha se per kete është njoftuar nga shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bilana Pantiç.
Asambleja Parlamentare mund t’i japë statusin e mysafirit të veçantë parlamenteve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por të cilat kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.

