Connect with us

Kosova

Kosova përballë vështirësive të reja diplomatike, sipas Ben Meir

Për shkak të mjedisit të ndërlikuar gjeopolitik, profesori amerikan në pension dhe eksperti i politikës ballkanike, Alon Ben-Meir, ka theksuar se qeveria e re në Kosovë duhet të balancojë prioritetet e saj të brendshme me pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht të Shteteve të Bashkaruara dhe Bashkimit Evropian.

Ben Meir ka vlerësuar se një nga sfidat më të mëdha për Kosovën, në këtë moment, do të jetë menaxhimi i marrëdhënieve me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke qenë se ai ka një qasje transaksionale ndaj politikës së jashtme dhe mund të reduktojë mbështetjen për Kosovën, veçanërisht në negociatat me Serbinë.

Një nga çështjet më shqetësuese, sipas Ben Meir, është mundësia e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka vlerësuar se korigjimi i kufijve është tepër i rrezikshëm dhe mund të krijojë tensione të reja në rajon.

Një tjetër sfidë e madhe, sipas tij, është roli i NATO-s dhe garancitë e sigurisë për Kosovën. Ai ka paralajmëruar se Trumpi ka një histori të tërheqjes nga angazhimet ushtarake jashtë vendit dhe se ai mund të rishikojë praninë amerikane në KFOR.

Në këtë situatë të ndërlikuar, ai e ka cilësuar jetike që Kosova të forcojë lidhjet e saj me BE-në. Ai ka kujtuar se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit janë përkeqësuar viteve të fundit, duke çuar BE-në në vendosjen së sanksioneve kundër Kosovës.

Ben Meir ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëse formon një qeveri të re, duhet të nxjerrë mësime nga katër vitet e kaluara në pushtet dhe të mos përsërisë gabimet që tronditën në masë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.

Kosova është në qendër të një konstelacioni të ndërlikuar gjeopolitik, ku mbështetja e pakushtëzuar ndaj saj nuk është më e garantuar – transformimi i vrullshëm i skenës globale ka krijuar një terren të pasigurt për vendin 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Advertisement