Connect with us

Bota

Kur flet bishti para sqeparit/ Musk bëhet pishman për deklaratat rreth Starlink: Nuk do fiket asnjëherë në Ukrainë

Elon Musk duket se është bërë pishman për komente të mëparshme që ka bërë në rrjet, të cilat hidhnin dyshimin se shërbimi i internetit Starlink mund të fikej në Ukrainë.

Përmes një reagimi në median sociale X, të cilën ai vetë e zotëron, Musk shkruan se diçka e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë dhe se ai kërkon të jetë shumë i qartë për këtë.

Musk ka reaguar: “Për të qenë jashtëzakonisht i qartë, pavarësisht se sa shumë nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, Starlink nuk do t’i fikë kurrë terminalet e saj.

Unë thjesht po them se, pa Starlink, linjat e Ukrainës do të shpërbëhen, pasi rusët mund të bllokojnë të gjitha komunikimet e tjera!

Ne kurrë nuk do ta bënim një gjë të tillë apo ta përdornim Starlink si mjet pazari”.

Më herët, ishte Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ai i cili është përfshirë në një debat me replika pikante në median sociale X, sa i takon shërbimit Starlink në Ukrainë.

Fillimisht, ka qenë ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ai i cili ka përmendur se të dëgjosh se SpaceX i Elon Musk mund të shkëpusë shërbimin jetësor të internetit përmes satelitëve Starlink është jashtë etike.

Kjo, pasi siç shpjegon ai, është Polonia, ajo e cila paguan kostot e këtij shërbimi për Ukrainën, duke mbuluar në vlerën e 50 milionë dollarëve nga Ministria polake e Digjitalizimit.

Duket se kjo i ka rënë në sy Sekretarit të Shtetit, i cili ka replikuar në X me Rubion.

“Thjesht po shpikni gjëra”, i përgjigjet Rubio. “Askush nuk ka bërë ndonjë kërcënim për shkëputjen e Ukrainës nga Starlink. Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlink Ukraina do ta kishte humbur këtë luftë shumë kohë më parë dhe rusët do të ishin në kufirin me Poloninë tani”.

Megjithatë, bien në sy dy fakte që nuk mund të anashkalohen.

I pari, ka të bëjë me faktin se Sikorsi po i përgjigjej vetë në realitet një publikimi të Musk në X, i cili në një seksion komentesh, shkruante se Starlink-u i tij ishte shtylla kurrizore e Ukrainës në këtë luftë dhe nëse ai do të vendoste të fikte shërbimin, atëherë Ukraina do të kapitullonte.

Ndaj, një trillim ky nuk është.

Dhe fakti tjetër, ka të bëjë me aspektin se Sikorsi në fakt nuk “ia ka përtuar” Rubios, duke iu përgjigjur vetë në seksionin e komenteve me një ironi të theksuar.

“Faleminderit Marco”, i shkruan ai (një referencë e qartë edhe me ironinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kur nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, iu kërkua të ishte më falënderues, pasi nuk e kishte bërë diçka të tillë ndaj Donald Trump).

Më tej, Sikorsi vijon ironinë në koment: “Faleminderit, Marco, për konfirmimin se ushtarët e guximshëm të Ukrainës mund të mbështeten në shërbimin jetësor të internetit të ofruar së bashku nga SHBA-të dhe Polonia”.

“Së bashku, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë Ukrainën për të arritur një paqe të drejtë”, e mbyll ai.

Advertisement