Connect with us

Politike

48 orë ankthi!/ Kandidatët për deputetë, s’ka më kohë për diskutime, listat gati?

PS dhe PD kanë 48 orë kohë për të vendosur për emrat që do të fusin në listën e kandidatëve për deputetë; kjo pasi nesër në mesnatë duhet të kenë emrat e depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Secila parti do të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të kandidatëve për deputetë në 12 qarqe të vendit. Kështu sot dhe nesër, në selinë rozë dhe atë blu priten diskutime dhe vendime. Për socialistët, fjalën e fundit do ta thotë kryeministri Edi Rama. Deri më tani ka thënë se në lista të mbyllura do të jenë kryesisht emrat e rinj dhe drejtuesit politikë, ndërsa ata që kanë fituar të paktën një mandat, do të sfidojnë veten në listë të hapur. Kaq është zbuluar nga mbledhja që kryeministri Edi Rama bëri gjatë fundjavës me socialistët. Ndërkohë që Partia Demokratike do të vendosë nesër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Por si do të zgjidhen kandidatët për deputetë?

KAMPI SOCIALIST

“Transfuzioni i gjakut”

Edhe këto zgjedhje, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi takimet traditë me ministra e drejtues politikë për 3 ditë me radhë, ku në fokus ishin zgjedhjet e 11 Majit. Edhe pse për mediat nuk u zbulua asnjë detaj, dje në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama qartësoi skemën e përzgjedhjes së ekipit të tij garues.

“Luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë,”- tha ai, por po ashtu kërkoi që të gjithë ata që janë kundër këtij kriteri të njoftojnë paraprakisht dhe të mos zënë vendin në listën për qarkun ku do të garojnë për një mandat. Deri më tani i vetmi që është tërhequr është deputeti i qarkut të Fierit, Petro Koçi. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Koçi shpjegon edhe arsyet pse ka marrë këtë vendim. Sipas Koçit, pas caktimit të Blendi Gonxhes si drejtues politik për zonën e Kombinatit, pozicioni i tij nuk ishte më i qartë. Por edhe pse nuk garon vetë, ka bërë edhe një thirrje për kolegët. Për të, ata që kanë “probleme” apo dosje në SPAK të mos garojnë dhe të mos zënë vendin e kandidatëve të tjerë.

“U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë, duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin WhatsApp të deputetëve. Nuk e di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë, e fal çdo kënd që, me apo pa dashje, ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje,”-shkruan Koçi.

Megjithatë nuk është i vetmi që do të mungojë. Pak muaj më parë, në korrik të vitit të shkuar, gjatë mbledhjes së Kongresit të Partisë Socialiste vetë kryeministri tha lajmin se deputeti i Vlorës Vullnet Sinaj do të largohej nga politika dhe i kishte kërkuar që të mos garonte më në zgjedhjet e 11 majit. Edhe pse deklarata është bërë publike, nuk ka asnjë konfirmim të dytë, kështu që për të do të duhet që të presim listën e nesërme. I paqartë është edhe vendi i kryeministrit! Pasi ka marrë nga një mandat si deputet në Vlorë dhe Durrës, pas zgjedhjeve lokale Rama paralajmëroi se mund të garonte për deputet në Shkodër. Por pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, përmendi Tiranën, derisa dje ndryshoi krejtësisht faqe. Për veten, Rama deklaroi se ende nuk ka marrë një vendim, por gjasat janë të mëdha që të mos kandidojë fare për deputet. Por sërish vendimin e fundit do ta zbulojmë nesër.

Ndërkohë që flasim për emra të pasigurtë që mund të jenë, ose jo në listë, Agron Malaj duket se e ka një “garanci”. Sot, ai ka njoftuar dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Matitme shumë gjasa për të garuar për herë të parë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Zërat në media thonë se të njëjtin veprim si ai do të ndërmarrin edhe 3 kryebashkiakë të tjerë, por asgjë ende nuk është konfirmuar. Emrat që po përfliten janë: Tërmet Peçi i Tepelenës, Majlinda Bufi e Rroskovecit dhe Ervin Demo i Beratit.

Por emrat e tyre janë ende të pakonfirmuar, asnjë prej tyre nuk ka marrë asnjë vendim konkret për të lënë postin që mban aktualisht për të garuar për deputet. Të gjithë duhet të presin nesër për të marrë vesh “fatin” e tyre. Kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në orën 19:00 kryesinë në selinë e PS-së për të caktuar emrat në listë, por para ka edhe një takim edhe me bordin e diasporës që drejtohet nga Taulant Balla. Në këtë takim përveç bilancit të punës që është bërë deri më tani, pritet të diskutohet edhe për emra potencialë që mund të vijnë nga diaspora.

KAMPI DEMOKRAT

‘Aleatë dhe besnikë’

Ndryshe nga Partia Socialiste, demokratët kanë një ide të kandidatëve kryesorë dhe pozicionimin e tyre në lista. Por renditjen finale do ta mësojmë gjithashtu nesër. Në orën 17.00, Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë, ku do të diskutohet për kontributin politik që kanë dhën secili prej kandidatëve që morën pjesë në Primare. Aty do të shtohet edhe numri i votave që kanë marrë nga anëtarësia dhe kushtet e tjera të garës. Pasi të kenë krijuar një ide dhe të kenë një listë më të qartë, në orën 19.00, lista do të kalojë për t’u miratuar në Këshillin Kombëtar. Pra, në të njëjtin orar, si PS edhe PD do të kenë gati emrat e tyre për t’i dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Edhe pse kanë një marrëveshje tashmë, duket se edhe aleatët nuk i “zë vendi”. Për të gjithë ata, Berisha ka premtuar 8 vende të sigurta në lista. Ndaj edhe sot, për të siguruar vendin e tyre, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka kanë shkuar në selinë blu për takime me kryedemokratin Sali Berisha. Mediu do të jetë kandidat në listën e sigurtë të Tiranës, ndërsa një emër i zgjedhur nga Agron Duka do të kandidojë në Durrës, kjo për shkak se Duka ka vendosur që të tërhiqet nga karriera e tij në politikë.

Në selinë e PD-së ka mbërritur dhe Jozefina Topalli, e cila do të konsultojë finalizmin e propozimeve të kandidatëve të Diasporës me kreun e PD-së, Sali Berisha.

Ndërkohë që për herë të parë, koalicioni “PD-Shqipëria Madhështore” do të ketë një kandidat për deputet që do të bëjë fushatë nga qelia. Bëhet fjalë për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pasi dje, Kryesia e PL-së vendosi që ai të garojë në Tiranë, Meta sqaroi sot se nuk do të jetë në listën e mbyllur. Ai sqaroi se ishte kërkesë personale që të garonte në listën e hapur, pasi e sheh këtë si një hap të rëndësishëm në betejën politike që ai po udhëheq. Ndryshe nga kryetari do të veprojnë kandidatët e tjerë; Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho janë konfirmuar në Tiranë, Edmond Haxhinasto në Elbasan, ndërsa sekretarja e përgjithshme e PL-së, Brunilda Haxhiu do të jetë në listën e mbyllur të Fierit. Nga kandidatët e tjerë, dihet vetëm që Vangjel Dule do të garojë në listën e Vlorës; ndërsa emrat e tjerë do t’i zbulojmë nesër.

Pavarësisht emrave që qarkullojnë, historia e zgjedhjeve të shkuara që janë zhvilluar në vend na ka “mësuar” se duhet të presim për listën finale, e cila do të zyrtarizohet mesnatën e 12 marsit. Kështu palët kanë edhe 48 orë për të vendosur fatin e tyre, hapi i radhës do të jetë bindja e qytetarëve për t’i dhënë votën.

Advertisement