Politike
Primaret ishin intrigë e gjallë/ Dyrnjaja: PD e di që s’fiton, vrap kush të futet në listë të sigurt

Gazetari Denis Dyrnjaja komentoi listat e kandidatëve për deputetë të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me në krye Partinë Demokratike, si dhe Partisë Socialiste, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Dyrnjaja tha në “Sot Live në Shqipëri” se listat e mbyllura të Partisë Demokratike konformuan se servilizmi është instaluar si virtyt në selinë blu, si e vetmja mënyrë për t’u futur në parlament pa u lodhur.
“Kush të zërë vendin te lista e sigurt, se e dinë që nuk do i fitojnë zgjedhjet dhe kanë hallin të jenë brenda listës së sigurt. Këta të tjerët tani do përplasen me njëri-tjetrin për hall se kush do të dali dhe si do të dali.
Primaret ishin një intrigë e gjallë. Ishin një falsitet total. Njeri më i votuar në Kavajë iku, Jorida Tabaku iku, pavarësisht se vazhdojnë të qëndrojë për të qenë pak koherente dhe për të mos krijuar atë zhgënjimin e madh se jo çdo gjë lidhet me mandatin, Dash Sula iku. Në atë parti ka vetëm intriga për njerëzit rreth kryetarit dhe interesat e kryetarit që në këtë rast është Berisha”, tha ai.
Dyrnjaja u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të fitojë mandatin e saj të katërt qeverisës më 11 maj, minimalisht me 71 mandate, numër dysheme për krijimin e qeverisë.
“Rama merr mandatin e katërt. Natyrisht nuk e di me sa, 90 deputetë, 85, por 71 besoj se ka të sigurt me këtë opozitë që e ka përballë.”
Për analistin, koalicioni i PD është “impotent” elektoralisht por edhe “shterpë” në vizion.
“Të 25-ta nuk e bëjnë dot një parti. Bashkë të 25-ta po t’i mbledhësh nuk e bëjnë dot një parti. Madje bashkë të 25-ta nuk e nxjerrin dot një deputet, as një deputet, e kam bindje këtë.”
“Partia Demokratike ka ardhur duke u rrudhur dhe kjo është meritë e dështimit të një politikani të vetëm që e ka pasur kontrollin e kësaj parti me dorë të fortë që quhet Sali Berisha. Ky njeri edhe pse ka sjellë PD në pushtet e ka dëmtuar atë afatgjatë. E ka dëmtuar, e ka shkretuar. Mendo që pas Berishës aty do të duket sikur do bjerë vdekja, s’ka më njeri. Pse? Sepse pret filizat e rinj. E “preu” Andi Mustafain edhe pse ai vazhdon të thotë që unë do vazhdoj këtu me ideale, për kontekstin familjar e të tjera.”

