Bota
Putin: Nëse ushtarët ukrainas dorëzohen do t’i kursejmë, Trump po bën shumë për raporte të mira me ne

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është i gatshëm të kursejë ushtarët ukrainas në rajonin e Kurskut, nëse këta të fundit dorëzohen vetë.
Kjo është përgjigja e tij ndaj thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi më parë që të shmangej një masakër e mundshme.
Rusia ka rifituar terren të rëndësishëm në Kursk dhe ushtarët ukrainas duket se janë të rrethuar, sipas palës ruse.
Në komente të tjera, Putin tha se situata ka filluar të lëvizë, referuar një plani të mundshëm për paqen. Teksa ka përgëzuar administratën e Trump për “punën e madhe që po bën, për rivendosjen e relatave mes dy vendeve”.
Më herët, ishte Trump, ai i cili komentoi situatën.
“Në këtë çast, mijëra trupa ukrainase janë plotësisht të rrethuar nga Ushtria ruse në rajonin e Kurskut, në një pozicion shumë të vështirë dhe të cenueshëm”.
Këtë e shkroi vetë presidenti amerikan, Donald Trump, përmes platformës së tij Truth Social, me një kërkesë të qartë për presidentin rus, Vladimit Putin.
“I kërkova me forcë presidentit Vladimir Putin që t’ua kursejë jetën. Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme, të ngjashme me të cilat nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Zoti i bekoftë të gjithë!”.
Kështu ka sqaruar Trump për publikun rreth situatës së fundit tejet të koklavitur që është krijuar në Kursk dhe nga ku Ukrainasit, sipas një ultimatumi të Putin, duhet të dalin ose të dorëzuar, ose të vrarë.
Trump ndërkaq rreth diskutimeve shton: “Ne patëm diskutime shumë të mira dhe produktive dje me Vladimir Putin dhe ka një shans shumë të mirë që më në fund kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund”.
Do të ndodhë kështu? Vështirë të thuhet.

