Connect with us

Rajon

Detaje mbi situatën e të plagosurve nga zjarri në Koçan: 20 prej të rinjve në gjendje kritike për jetën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi sot në një konferencë për shtyp se pacientët e prekur nga zjarri në Koçan janë në gjendje përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa 20 prej tyre janë në gjendje kritike. Ai paralajmëroi se komplikacione të mundshme priten sot dhe nesër.

Siç tha ai, ka pacientë të rinj që kanë qenë pjesë e ngjarjes tragjike në Koçan, por nuk janë paraqitur dje, por vetëm sot.

“Përfunduam takimin e Shtabit të Krizës dhe bëmë një përmbledhje të situatës. Fatmirësisht, pacientët që u dërguan dje në spitalet e vendit janë në gjendje të qëndrueshme

Edhe ata që u transferuan jashtë shtetit, gjithsej 51 deri tani, janë në gjendje përgjithësisht të qëndrueshme. Megjithatë, po shfaqet një problem i ri, pasi ka pacientë që nuk janë paraqitur dje dhe po paraqiten sot. Dua të bëj thirrje për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje tragjike dhe nuk janë paraqitur ende, t’i lutem ta bëjnë sot,” tha Taravari.

Ai theksoi gjithashtu se të gjithë pacientët nga Koçani dhe Shtipi janë tashmë të transferuar në Shkup dhe nuk ka më pacientë në këto dy qytete. Taravari nënvizoi se situata është nën kontroll dhe priten më pak komplikacione. Në zjarrin tragjik humbën jetën 59 persona, ndërsa nga të plagosurit, 84 po trajtohen në spitale brenda vendit dhe 51 të tjerë jashtë shtetit.

Tragjedia me 59 viktima në Maqedoninë e Veriut, jep dorëheqjen kryetari i Koçanit: Tronditja që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time

Foto: Diskoteka ‘Pulse’ ku ra zjarri

Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga detyra pas aksidentit tragjik në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

“Kjo humbje është e madhe! Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes. Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë, dhe boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”, ka shkruar Papazov në Facebook.

Ai kërkon nga institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.

Zjarri në Maqedoni, Mickoski: Kompania, licencë të falsifikuar! Faji i qeverisë shkuar

Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski pohoi se ekzistojnë dyshime që kompania në qendër të tragjedisë që kushtoi dhjetëra jetë njerëzish në Maqedoninë e Veriut, ka pasur dy licenca, njëra prej të cilave ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë. Mickoski premtoi se përgjegjësit për ngjarjen e rëndë, do të identifikohen publikisht.

“Ka dyshime se kompania ka vepruar me licencë të falsifikuar nga drejtuesit e shkuar të Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, me emër e mbiemër”, tha Mickoski.

Dita e sotme shënon nisjen e një jave zije në vendin fqinj, një ditë pas zjarrit vdekjeprurës në klubin e natës në Kocan, që i mori jetën 59 personave, ndërsa u lënduan 155 të tjerë.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, e kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.

Flakët shpërthyen orët e para të së dielës pas shkëndijave nga mjetet piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, të cilat i vunë zjarri çatisë. Rreth 500 vetë ndodheshin në klub në ato momente.

Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.  Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi. Pjesa dërrmuese e të plagosurve kanë plagë djegieje.

Përpjeket për shpëtim janë mbështetur edhe nga organizata vullnetare. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha, se “Të gjitha kapacitetet janë vënë në shfrytëzim dhe po punohet maksimalisht për të shpëtuar prej kësaj tragjedie sa më shumë të rinj të jetë e mundur”.

Advertisement