Connect with us

Politike

Arlind Qori: Unë vë dorën në zjarr për kandidatët e mi, më pështyni në fytyrë nëse…

Kryetari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori tha se është fyese për anëtarët e partisë të fusësh familjarët e tu në listën e kandidatëve për deputet.

Ai tha se kjo tregon se kryetarët e partive nuk kanë besim te anëtarët e partive të tyre, ndërsa theksoi se ai si kryetar partie  është i gatshëm të vendos “dorën në zjarr” për bashkëpunëtorët e tij.

“Të emërosh familjarët në një listë, është e rëndë nga pikëpamja simbolike, është një lloj nepotizmi. Se nesër kur të kesh qeverisjen në dorë mund të thuash do bëj vëllain ministër se të gjithë të tjerët vjedhin, do bëj gruan ministre se të tjerët vjedhin.

Nga ana tjetër është fyese për anëtarët e tjerë të partisë sepse jep mesazhin që këtu nuk i besohet askujt veç motrës vëllait e kështu me radhë.

Për Lëvizjen Bashkë unë jam gati të vë dorën në zjarr për të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Nëse është Redi Muçi i pari në listë, ai do jetë deputet.

Nëse ndodh ndryshe keni të drejtën të më pështyni në fytyrë mua. Ne jemi parti serioze që bëjmë zgjedhje të brendshme.

Unë e kam vendosur dy vite më parë që nuk do jem i pari në listë për të treguar që nuk është partia në funksion të kryetarit, por kryetari në funksion të partisë”,-tha Qori.

Ai shtoi më tej se një tjetër gjë e rëndë, është edhe merkatoja e politikanëve. Sipas tij të gjithë kanë pritur momentet e fundit për të dorëzuar listat e kandidatëve, pasi i druheshin kësaj “merkatoje”.

“Arsyeja për të pritur deri në 11:30 të natës, ose nuk ke njerëz për të vënë në listë, ose pret merkaton e futbollistëve, në mënyrë që kur të lirohet një politikan, ta fusësh ti në listë”,-tha ai.

Advertisement